Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 09 mars 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Durrës – Bien në prangat e Policisë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan në flagrancë shtetasin A. M., 53 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur disa materiale dhe pajisje në një firmë duralumini në Maminas, Shijak, ku dhe ishte i punësuar. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 56 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në Fushë Krujë, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, është përplasur me një tjetër mjet, duke i shkaktuar dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Mallakastër – Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim. Shkon në 5 numri i të ndaluarve në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Rromës”. Kapen dhe ndalohen 2 shtetas për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Rromës”, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mallakastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, u bë kapja dhe ndalimi shtetasve M. M., 27 vjeç, banues në Gjonçë, Fier dhe B. L., 26 vjeç, banues në Rromës, Mallakastër. Ndalimi i këtyre shtetasve u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier me vendimin e datës 05.03.2021 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Këta shtetas, në bashkëpunim me shtetasit T. A., A. A. dhe I. M.,(të cilët janë ndaluar nga policia në datë 24.06.2020), në një zonë të pyllëzuar në fshatin Rromës, Mallakastër, kishin kultivuar fidanë narkotikë kanabis, të cilët u asgjësuan gjatë operacionit.  Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme procedurale.

Skrapar – Evidentohet dhe goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohet në flagrancë një shtetas. Shërbimet e Policisë Skrapar, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se një shtetas po tentonte të kultivonte kanabis, kanë  organizuar punën dhe gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit O. Gj., shërbimet e Policisë kanë konstatuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 146 gota plastike  ku brenda tyre kishte të mbjella fara të  dyshuara narkotike cannabis sativa. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Skrapar arrestuan në flagrancë pronarin e banesës, shtetasin O. Gj., 32 vjeç, banues në fshatin Rehovë, Skrapar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike”.

Policia e Shtetit, pjesëmarrëse në një tjetër operacion ndërkombëtar antidrogë të koduar “TIBUS”.   Operacioni i zhvilluar në të njëjtën kohë në Itali, Shqipëri dhe Gjermani. Në Shqipëri operacioni është zhvilluar nga FAST Albania, FNSH, Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe Interpol Tirana.  Gjatë  operacionit “TIBUS”, në Vlorë, mëngjesin e sotëm janë kapur nga FAST Albania, FNSH dhe strukturat e DVP Vlorë, 5 shtetas, të cilët janë arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë, konkretisht A. J., 25 vjeç, D. M., 23 vjeç, E. N., 27 vjeç, R. E., 31 vjeç dhe Z. A., 25 vjeç, banues  në Vlorë, Shqipëri. Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Romës, Itali ka lëshuar urdhër-arrestin për këta shtetas, për kryerjen e veprës penale “Organizatë kriminale me qëllim trafikun e narkotikëve”. Këta shtetas, në bashkëpunim me pjesëtarët e tjerë të organizatës kriminal, dyshohen se nga data 01.06.2018 deri më 21.01.2019, kanë marrë pjesë në role të ndryshme në një organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike (marijuanë) nga Shqipëria në drejtim të Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romen dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese, vijon procedurat për ekstradimin këtyre shtetasve drejt Italisë. Policia e Shtetit tregoi edhe njëherë seriozitet e besueshmëri tek partnerët për të luftuar së bashku krimin e organizuar dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Tiranë – Finalizohet operacioni antikanabis i koduar “Vila”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë dhe Komisariati i Policisë Vorë. Kishin përshtatur banesën për kultivimin e bimëve narkotike, vihet në pranga çifti i bashkëshortëve. Sekuestrohen 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, fidanë narkotikë të kultivuar, fara kanabisi, aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndës narkotike, një sasi me lëndë të dyshuar heroinë dhe sende të tjera të kundërligjshme. Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vorë, në bazë të informacioneve të siguruara nga qytetarët, pas një pune hetimore disa javore, finalizuan operacionin antikanabis të koduar ”Vila”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit K. Z., 34 vjeç dhe A. Z.(D.), 31 vjeçe, banues në Vorë (bashkëshortë). Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin përshtatur ambientin e banesës së tyre me aparatura që shërbejnë për kultivimin dhe prodhimin e lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit të banesës u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3.6 kg lëndë e dyshuar kanabis, 9 fidanë të dyshuar kanabis të kultivuar, pajisje që kanë shërbyer për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi dhe sende të tjera të kundërligjshme. Materialet për veprime të mëtejshme do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e  narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin e treguar te Policia dhe i fton sërish ata që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë, duke iu garantuar anonimat të sigurt dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.

Tiranë – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 06.03.2021, në zonën e ish-Bllokut.  Procedohen në gjendje të lirë 2 shtetas, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja”.  Shërbimet e Policisë, pas marrjes të njoftimit se në rrugën “Ismail Qemali”, në zonën e ish-Bllokut, një shtetas ishte goditur me qytën e një armë zjarri të dyshuar pistoletë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Pas një pune të mirorganizuar është bërë i mundur identifikimi dhe shoqërimi i autorëve të ngjarjes, shtetasve E. K., 33 vjeç dhe V. K., 37 vjeç, banues në Rrëshen.  Këta dy shtetas, më datë 06.03.2021, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, kanë goditur me qytën e një arme në dukje lodër, shtetasin E. XH. Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. K. dhe V. K për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Kanosja” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 74 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 19 janë arrestuar dhe 49 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste: 2 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier dhe 1 në Kukës; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë;  2 raste të “Vrasja mbetur në tentativë”, në Tiranë, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 në Korçë dhe 1 në Fier, ku autorët janë arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 10 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 5 raste me 2 autorë të ndaluar, 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 5 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Kukës dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Tiranë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Tiranë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 6 të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjete pa leje drejtimi, 1 në Lezhë dhe 2 në Dibër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.