Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 05 mars 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale.          Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. K., 40 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.  Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Z. S.(M.), 29 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin tip “Opel” ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke u përplasur me murin e një banese. Si pasojë kanë humbur jetën 3 pasagjerët në mjet, shtetasit I. S., 56 vjeç, B. S., 53 vjeç (vëllezër) dhe D. D., 50 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Bien në prangat e Policisë 4 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin: B. Xh., 53 vjeç, banues në Kavajë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës për ndryshimin e masës së sigurisë nga “Arrest në shtëpi” në “Arrest në burg”, për shtetasin Dh. T., 33 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit: V. K., 39 vjeç, banues në Shën Vlash, Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë, në lagjen nr. 13, Durrës, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur; A. K., 26 vjeç, banues në Fushë Krujë, si dhe u procedua penalisht shtetasi F. Sh., 20 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi ditën e djeshme, në orën 13:40, në aksin rrugor Thumanë-Fushë Krujë, shtetasi A. K., duke drejtuar mjetin tip “Benz”, është përplasur me mjetin tip “Opel”, me drejtues shtetasin F. Sh., i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Durrës/Informacion paraprak – Më datë 04.03.2021, në orën 22:35, në lagjen nr. 13, Durrës, shtetasja J. K., 23 vjeçe, duke drejtuar mjetin tip “Hyundai”, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me shtyllën e ndriçimit rrugor. Si pasojë e përplasjes është lënduar drejtuesja e mjetit, shtetasja J. K., dhe pasagjeri në mjet, shtetasi F. Q., 25 vjeç, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Berat – Goditet një rast i mitëdhënies. Tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative, arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit. Shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të kontrolleve të ushtruara për rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë, kanë goditur një rast të mitëdhënies. Në bashkëpunim me specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit në DVP Berat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. T., 45 vjeç, banues në Goriçan, Ura Vajgurore, pasi në aksin rrugor Kutalli-Ura Vajgurore, është kapur nga shërbimet e qarkullimit rrugor duke drejtuar mjetin me leje drejtimi të cilës i kishte përfunduar afati i përdorimit. Shtetasi E. T., për të shmangur masën administrative, ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Fier/Informacion paraprak – Sot rreth orës 11:50, në fshatin Luar, Roskovec, në banesën e tij, shtetasi E. R., 25 vjeç, për motive të dobëta, ka goditur në kokë me sende të forta(shkop), babain e tij, shtetasin Dh. R., 52 vjeç, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka bërë të mundur kapjen e autorit dhe shoqërimin e tij në Komisariatin e Policisë. Po kryhen veprimet procedurale dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 47 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 7 janë arrestuar dhe 37 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 2 në Tiranë dhe 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, 2 raste me 2 autorë që po procedohet në gjendje të lirë dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 6 raste, 3 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Elbasan, ku autorët po procedohen ën gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në Tiranë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Kukës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.