Specialisti i Drejtorisë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, Komisar Julian Gjonbalaj, certifikohet nga BKA-ja gjermane, pas përfundimit të kursit të trajnimit në fushën e hetimit të krimit.
Gjatë paradites së sotme, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë një ceremonie, duke respektuar masat anticovid, Oficeri Ndërlidhës i BKA-së Gjermane z. Holger Primas i ka dorëzuar certifikatën e përfundimit me sukses të kursit të trajnimit në BKA Gjermani, specialistit të Drejtorisë Hetimore Komisar Julian Gjonbalaj.
Në prezencë të Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtorit të Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtorit të Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe Drejtorit të Drejtorisë Hetimore, z. Primas, ka vlerësuar seriozitetin dhe përkushtimin e treguar nga Komisar Gjonbalaj gjatë kursit të trajnimit dhe i ka vlerësuar mjaft të mira marrëdhëniet mes BKA-së dhe Policisë së Shtetit.
Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Albert Dervishaj, në emër edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka falënderuar BKA-në për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se Policia e Shtetit është tërësisht e vendosur për të bashkëpunuar me policitë partnere dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese ndërkombëtare, për të luftuar krimin e organizuar dhe terrorizmin.