Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Kukës – Vihet në pranga me qëllim ekstradimi drejt Maqedonisë së Veriut një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i dënuar me 2 vite burg, për veprën penale “Vjedhje me dhunë”. Kapet dhe një shtetas tjetër i shpallur në kërkim kombëtar për veprën penale “Dhuna në familje”. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare  si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar një shtetas  të shpallur në kërkim ndërkombëtar Z. S, 34 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni e Veriut.  Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Shkup, pasi Gjykata e Apelit në Shkup, të Maqedonisë së Veriut, e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale “Vjedhje me dhunë”. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të tij, me qëllim ekstradimin në shtetin maqedonas, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957. Po në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.  Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim F. M., 40 vjeç, banues në Kukës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 24.02.2021, ka bërë kallëzim bashkëshortja e tij, se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj dhe fëmijëve të tyre. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhje”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të shpallur në kërkim, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit V. K., 20 vjeç, banues në fshatin Valare, Gjirokastër, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër  i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vjedhje”, pasi ky shtetas në nëntor të vitit 2019, në fshatin Valare ka vjedhur një sasi të konsiderueshme lekësh në banesën e shtetasit I. J. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Kukës – U konfliktuan për vendin e parkimit, kapet dhe shoqërohet nga Policia, 18-vjeçari që qëlloi në ajër me një armë të dyshuar zhurmuese.  Policia e Kukësit, pas një telefonate të marrë për një konflikt mes dy shtetasve, menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes. Forcat “Shqiponja” kanë vlerësuar informacionin dhe kanë rrethuar perimetrin e sigurisë dhe si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale, kanë bërë të mundur kapjen e shtetasit G. Sh., 18 vjeç, banues në Kukës. Shtetasi G. Sh., në lagjen nr. 1 në qytetin e Kukësit, pas një konflikti për vendin e parkimit, me shtetasin Xh. Sh., ka qëlluar në ajër me armën e llojit pistoletë e dyshuar zhurmuese. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e llojit tip pistoletë e dyshuar zhurmuese, si dhe një gëzhojë. Shtetasi G. Sh. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Kukës, për veprime të mëtejshme procedurale.

Korçë – Goditet një rast i armëmbajtjes pa leje dhe shpërndarjes së drogave të forta, në pranga 2 shtetas. Qarkullonte me armë pa leje dhe lëndë narkotike në mjetin e tij, vihet në pranga poseduesi i tyre. Arrestohet në flagrancë edhe shoku i tij për “Moskallëzim krimi”. Sekuestrohen një armë sportive, një krëhër me municion pa leje dhe disa doza me lëndë narkotike kokainë. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të armëmbajtjes pa leje dhe prodhimit e shitjes së narkotikëve, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se dy shtetas po qarkullonin me armë dhe drogë në një automjet tip “Benz”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit në lagjen nr. 9, Korçë. Gjatë kontrollit të ushtruar  në mjetin me drejtues shtetasin A. Ç., 19 vjeç, banues në Durrës dhe me pasagjer pronarin e mjetit, shtetasin S. K., 31 vjeç, lindur në Pirg, Korçë dhe banues në Durrës, iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë sportive tip pistoletë, një krëhër me 8 fishekë dhe në sendet personale të shtetasit S. K., u gjetën disa doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Në përfundim të veprimeve, Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve S. K. dhe A. Ç. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve sportive”,  “Prodhimi e shitja e narkotikëve” dhe “Moskallëzim i krimit”.

Korçë – Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë të kontrabandës me mallra, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. B., 37 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë Rrugore, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, me mjetin tip “Volksëagen”, gjatë kontrollit të të cilit, iu gjet një sasi e konsiderueshme me mallra të dyshuara kontrabandë (erëza që përdoren për produkte ushqimore) për të cilën shtetasi E. B., ka paraqitur një faturë shoqërimi të dyshuar si të falsifikuar. Kolonjë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. R., 20 vjeç, banues në fshatin Qafëzez, Kolonjë, pasi në banesë, ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj vëllait të tij, shtetasit E. R., 22 vjeç. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin D. M., 28 vjeç, banues në Durrës, pasi në lagjen nr. 11, Durrës, dyshohet se i ka vjedhur aparatin celular shtetasit A. P. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. K., 30 vjeç, banues në Shijak, Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 7 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Dh. Zh., 22 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, iu gjet dhe u sekuestrua një sasi me lëndë të dyshuar narkotike kokainë. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. K., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një armë e ftohtë (dorezë metalike), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. H., 38 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj motrës së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. L., 19 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale ”Vjedhja”, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet një armë e ftohtë (dorezë metalike), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. A., 26 vjeç dhe A. Rr., 41 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; A. I., 29 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 6 muaj burg, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.  Më datë 28.02.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe po punohet për kapjen e shtetasve R. H., 20 vjeç dhe R. L., 19 vjeç, pasi për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin A. Zh., 21 vjeç, i cili pasi mori ndihmën mjekësore në spital, u largua për në banesë. Më datë 28.02.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe po punohet për kapjen e shtetasit në kërkim I. A., 25 vjeç, sepse në rrugën “Irfan Tomini”, për motive të dobëta, ka goditur me një mjet prerës (thikë), shtetasin M. M., 19 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Divjakë – Ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Divjakë, bënë ndalimin e shtetasit Sh. K., 40 vjeç, banues në Lushnjë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë në zbatim të vendimit të datës 13.12.2020 së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për kryerjen e veprave penale “Heqja e paligjshme e lirisë“, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës“. Shtetasi Sh. K., në bashkëpunim me shtetasit A. B., 24 vjeç dhe G. B., 19 vjeç, (të cilët janë shpallur në kërkim), në datë 06.12.2020, në fshatin Gradishtë, Divjakë, kanë tentuar të marrin me forcë jashtë dëshirës shtetasin J. Ll., 31 vjeç. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprime të mëtejshme. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 33 vjeç, banues në Roskovec, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar automjetin tip “Porche” në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.

Vlorë – Policia ka vënë në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Selenicë arrestuan shtetasin L. S., 47 vjeç, banues në fshatin Babicë, Vlorë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj nipit të tij, për motive të dobëta.  Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë 2 drejtues mjetesh: shtetasin A. K., 40 vjeç, banues në Fier, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar në gjendje të dehur mjetin tip “Benz”, ka përplasur një tjetër mjet tip “Benz” me drejtues shtetasin Q. D., 21 vjeç, banues në Fier, i cili udhëtonte me katër pasagjerë. Si pasojë kanë ndërruar jetë në spitalin e Vlorës 2 nga pasagjerët, shtetasit E. T., 18 vjeç dhe F. D., 20 vjeç, ndërsa dy pasagjerët e tjerë, shtetasit K. D., 20 vjeç, R. L., 22 vjeç dhe drejtuesi i mjetit, shtetasi Q. D., ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore; Shtetasin A. Ç., 23 vjeç, banues në fshatin Kocul, Selenicë, pasi është konstatuar nga shërbimet në aksin rrugor Vlorë-Vllahinë, duke drejtuar automjetin pa lejen përkatëse. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 163 shtetas, nga këta: 42 janë të arrestuar, 11 janë ndaluar dhe 110 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 16 raste, në të gjithë territorin, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 15 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 24 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosja”, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 12 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rënde me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 22 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 24 raste: 2 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 22 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të shkatërrimit të pronës, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 autor ende të paidentifikuar.

Janë evidentuar 3 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Punësim i paligjshëm”, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja me dhunë”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja duke shpërdoruar detyrën”, me 2 autorë të ndaluar.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i monedhave”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 19 raste aksidentesh, me 5 viktima dhe 19 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 10 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 8 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.