Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Morinë, shërbimet e Policisë Kufitare si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, kanë ndaluar një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar:
Z.S, 34 vjeç, banues në Shkup, Maqedoni e Veriut.
Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar nga NCB Shkup, pasi Gjykata e Apelit në Shkup, të Maqedonisë së Veriut, e ka dënuar me 2 vite burg, për veprën penale “Vjedhje me dhunë”.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Kukës bënë arrestimin provizor të tij, me qëllim ekstradimin në shtetin maqedonas, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.
Po në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim F.M., 40 vjeç, banues në Kukës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi më datë 24.02.2021, ka bërë kallëzim bashkëshortja e tij, se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj dhe fëmijëve të tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.