Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Lushnjë – Duke marrë shkas nga një foto e publikuar në rrjetet sociale, ku një kafshë shtëpiake (qen), kishte ngordhur pasi pronari i tij e kishte tërhequr zvarrë me motorr në aksin rrugor Çermë-Lushnjë, ju sqarojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, menjëherë identifikuan dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, bashkë me motomjetin e tij me targa LU199A, shtetasin F. H., 64 vjeç, banues në Zhamë, Lushnjë. Në vijim të veprimeve u procedua penalisht shtetasi F. H., për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve” dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Fier fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm.
Kurbin, Lezhë – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Tentoi të vidhte në pikën e bllokimit të automjeteve në Laç, arrestohet nga Policia. Bien në prangat e Policisë edhe 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kurbin bënë arrestimin e shtetasit E. L., 25 vjeç, banues në Kurbin. Ky shtetas është konstatuar nga punonjësi i Policisë në shërbim, duke tentuar të vjedhë në pikën e bllokimit të automjeteve në Laç, Kurbin. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. Gj., 37 vjeç, banues në Kurbin, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë, ka vendosur tenda dhe suvenirë në vendin e quajtur “Sheshi i Kishës së Laçit”. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Lezhë, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, bënë ndalimin e shtetasit G. J., 38 vjeç, banues në Lezhë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.
DVP Durrës – Vijon puna nga strukturat e DVP Durrës, për goditjen e paligjshmërisë. Zbardhet dhe dokumentohet me prova ligjore një ngjarje e ndodhur në vitin 2013, në fshatin Perlat, Durrës. Ndalohen dhe 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe procedohet penalisht 1 shtetas tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, kanë zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore një ngjarje të ndodhur më datë 28.10.2013, në fshatin Perlat, Durrës, ku 2 persona të armatosur kanë hyrë për të vjedhur në banesën e shtetasit B. T. Në vijim të veprimeve është dokumentuar me prova ligjore se njëri prej autorëve të kësaj ngjarjeje është shtetasi M. K., 28 vjeç, i cili aktualisht po vuan dënimin në IEVP Durrës, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të përfshirë në këtë ngjarje. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasit Sh. G., 47 vjeç, banues në Rromanat, Durrës, i shpallur në kërkim policor për veprën penale “Dhuna në familje”; L. B., 22 vjeç, banues në Borizanë, Krujë, pasi më datë 07.02.2021, dyshohet se ka vjedhur materiale në një kompani telefonike, ndërsa më datë 08.02.2021, dyshohet se ka vjedhur vegla pune në banesën e shtetasit F. Xh., në Krujë. Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës proceduan penalisht për veprën penale “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”, shtetasin B. Ç., 26 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka kundërshtuar për shkak të detyrës punonjësin e qarkullimit rrugor në DVP Durrës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme. Strukturat e Policisë Durrës, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për monitorimin e zbatimit të masave anticovid. Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pronarin e një subjekti në Shijak, Durrës, shtetasin K. C., pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke ushtruar aktivitet pas orarit të përcaktuar për mbyllje. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid, për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer burim rreziku për qytetarët.
Bulqizë – Në vijim të ngjarjes së ndodhur gjatë ditës së djeshme, ku humbi jetën në një galeri kromi një shtetas, arrestohet në flagrancë nga Policia armatori i një subjekti minerar, si dhe procedohet penalisht brigadieri i subjektit. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Ç. D., 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë armator në një subjekt minerar në zonën D), si dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin F. K., 50 vjeç, banues në Bulqizë (me detyrë brigadier), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Shtetasit e lartpërmendur kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 24.02.2021, në një nga nënkatet e subjektit minerar, është shembur një pjesë armature duke i shkaktuar vdekjen një 49-vjeçari (me detyrë vagonist). Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.
Elbasan – Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar A. Gj., 35 vjeç, banues në Elbasan. Këtë shtetas, Gjykata e Bolonjës, Itali, në datën 21.12.2016, e ka dënuar me 5 vjet, 7 muaj e 26 ditë burgim, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Organizatë kriminale”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga zyra e Interpolit Tiranë.
Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin B. S., 28 vjeç, banues në Zhupan, Fier. Arrestim i këtij shtetasi u bë pasi është konstatuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, jashtë banesës së tij, duke shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin D. Xh., 33 vjeç, banues në Patos pasi në datë 24.02.2020, në aksin rrugor Fier-Patos, ka aksidentuar shtetasin B. A., 65 vjeç, banues në Kraps, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
Sarandë – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar. Kapet dhe ndalohet shtetasi i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Dhrovjani”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të operacionit “Dhrovjani” të finalizuar ditën e djeshme, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi M. T., kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin e të atit të tij të shpallur në kërkim, shtetasi J. T., pronari i banesës në fshatin Dhrovjan, Finiq, ku u gjetën dhe u sekuestruan 10 armë zjarri dhe municion luftarak. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ndalimi i shtetasit në kërkim A. P., 33 vjeç, banues në Sarandë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin e datës 20.12.2018, i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”, për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. A., 22 vjeç dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin e mitur me iniciale E. M., 16 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke vjedhur në një magazinë, një sasi profilesh alumini, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 2 motorë që ishin modifikuar për transport mallrash. Më datë 24.02.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për shoqërimin e shtetasve D. Rr., 30 vjeç dhe A. K, 24 vjeç, sepse kanë goditur me sende të forta dhe kanë kanosur shtetasin E. L. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 68 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 9 janë arrestuar dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 2 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste: 3 raste të “Kanosja”, 2 në Durrës dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja lehtë me dashje”, në Tiranë dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 6 raste të dhunës në familje: 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 11 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, 1 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Fier dhe 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Njoftim i rremë në organet e rendit”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Pushtim toke”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, 1 në Lezhë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Braktisja e fëmijëve të mitur”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 raste aksidentesh, me 5 të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.