Sarandë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Dhrovjani”

Finalizohet operacioni policor i koduar “Dhrovjani”.

Operacioni nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me forcat “Shqiponja”.

Sekuestrohen arsenal armësh zjarri dhe municion luftarak.

Arrestohet në flagrance një 37-vjeçar, shpallet në kërkim i ati.

Në zbatim të planit të masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në vijim të kontrolleve të ushtruara në ambiente të ndryshme, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se në banesën e një shtetasi në fshatin “Dhrovjan”, Finiq, ishte fshehur një arsenal armësh, strukturat e Komisariatit të Policisë Sarandë zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Dhrovjani”.

Në kuadër të operacionit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi M. T., 37 vjeç dhe u shpall në kërkim i ati i tij, shtetasi J. T.

Shërbimet e Policisë , gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit J. T., në fshatin Dhrovjan, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës material 10 armë zjarri dhe municion luftarak, konkretisht:

1 mitraloz të lehtë, 2 kallashnikovë, 3 armë zjarri pushkë dhe 4 armë gjahu, 1 granat-hedhës dhe 220 fishekë luftarakë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprime të mëtejshme.