Policia godet një rast të tentativës për të hyrë në territorin shqiptar me armë zjarri me vete.
Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë dhe fishekë luftarak.
Vihet në pranga drejtuesi i mjetit ku u gjet arma e zjarrit dhe 2 pasagjeret që udhëtonin në mjetin e tij.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, kanë intensifikuar kontrollet si në dalje, ashtu dhe në hyrje.
Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë Kufitare të Morinës, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, mjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin F. G. dhe pasagjere shtetaset D. F. dhe M. Q.
Gjatë kontrollit të kryer në vijën e dytë, në kroskotin e këtij mjeti, Policia Kufitare gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip “Girsan” dhe 17 fishekë.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve në DVP Kukës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
F. G., 34 vjeç, banues në Kosovë, D. F., 36 vjeçe dhe M. Q., 40 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, kryer në bashkëpunim.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.