Durrës – Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje dhe i sendeve të kundërligjshme në banesë

Strukturat e DVP Durrës vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje dhe i sendeve të kundërligjshme në banesë.

Sekuestrohen një armë zjarri pushkë dhe kallëpe me lëndë plasëse, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.

Arrestohen në flagrancë dhe 4 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët e Policimit në Komunitet, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, pas një telefonate të marrë në Sallën Operative, se në lagjen nr. 14, Durrës, në një familje kishte konflikt familjar, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar shtetasin I. T., i cili ishte në gjendje të dehur.

Pas kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë në banesën e tij janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pushkë, 3 kallëpe me lëndë plasëse, 3 radio dhënëse-marrëse dhe 1 kapsollë me 2 fije elektrike.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi I. T., 51 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasit:

Xh. M., 53 vjeçe, H. B., 55 vjeç, D. M., 61 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi janë konfliktuar me njëri-tjetrin duke ushtruar dhunë fizike.

Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkatërrimi apo dëmtimi me dashje i rrugëve automobilistike”, shtetasi S. P., 50 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi u konstatua duke shkatërruar ish-linjën hekurudhore në Krujë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë.