Finalizohet operacioni policor i koduar “Bilça”.
Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me shërbimet policore në DVP Berat.
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë së paligjshme në fushën e narkotikëve.
Sekuestrohen 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.
Vihet në pranga poseduesi.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Berat, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bilça”, si rezultat i të cilit u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit:
S. M., 34 vjeç, banues në Bilç, Berat.
Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet se shtetasi S. M. dispononte lëndë narkotike, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në banesën e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, një sasi lekësh dhe dy aparate celular.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.