Berat – Organizonte lojëra fati, nëpërmjet celularit, në ambientet e punës, arrestohet në flagrancë pronari i berberhanes. Sekuestrohet një aparat celular. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. E., 41 vjeç, banues në lagjen Çlirim, Berat, pasi është kapur në ambientet e berberhanes së tij duke ushtruar aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit online, nëpërmjet celularit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një aparat celular. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Sunday”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni i zhvilluar nga Forca Operacionale në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Krimeve kundër Jetës dhe Seksionit për Hetimin e Narkotikëve. Sekuestrohen një armë zjarri automatik, një sasi lënde plasëse, lëndë narkotike kanabis, një sasi municioni luftarak dhe sende të tjera të kudërligjshme. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Në vijim të kontrolleve të ushtruara në të gjitha rrugët kryesore dhe dytësore në qarkun e Tiranës, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në rrugën dytësore në Marikaj, Vorë, një shtetas mbante në një ambient në pronësi të tij, lëndë narkotike, lëndë plasëse dhe armë zjarri pa leje, gati për t’i shitur, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Sunday”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit E. V., 25 vjeç, banues në Shijak. Gjatë kontrollit të ushtruar në ambientin në pronësi të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri automatik, 40 fishekë, një sasi lënde plasëse, si dhe sende të tjera të kundërligjshme. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Port, Durrës – Bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve mes Policisë Kufitare dhe strukturave të DVP Durrës çoi në goditjen e një rasti të veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Sekuestrohen rreth 2 kg lëndë narkotike marijuanë. Arrestohet në flagrancë një shtetas italian, posedues i lëndës narkotike. Shërbimet e Policisë Kufitare, në zbatim të masave për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë intensifikuar kontrollet, si në dalje ashtu dhe në hyrje, në Portin e Durrësit. Si rezultat i kontrolleve të shtuara në dalje në PKK Durrës, bazuar dhe në analizën e riskut të bërë nga shërbimet e Policisë në PKK Durrës, është kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, mjeti tip “Citroen”, me drejtues shtetasin italian G. A. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të mjetit, në pjesën fundore poshtë bagazhit, brenda gomës rezervë kanë konstatuar 2 paketime, brenda të cilave ndodheshin 2 kg lëndë narkotike marijuanë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit italian G. A., 50 vjeç, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Vlorë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasen P. K., banuese në Vlorë, pasi në datën 11.02.2021, në bashkëpunim me shtetasen A. A, e shpallur në kërkim policor, në lagjen “Isa Boletini”, Vlorë, kanë vjedhur me dhunë një sasi parash në banesën e një shtetaseje. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori në ngarkim të shtetasit Xh. M., 58 vjeç, banues në Borsh, pasi ka kanosur me një mjet prerës (thikë), për motive të dobëta, shtetasin L. H., 49 vjeç.
Më datë 13.01.2021, rreth orës 23:30, në spitalin rajonal Vlorë, ka shkuar për ndihmë mjekësore një 16-vjeçare, e cila dyshohet se ka konsumuar pesticide. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
DVP Durrës – Vijon puna nga strukturat e DVP Durrës, për goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 1 prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e mbetur tentativë, shtetasin palestinez M. B., 23 vjeç, pasi në datën 13.02.2021, në Fllakë, Shijak, ka goditur me mjet prerës (thikë) në dorë, shtetasin D. M., 40 vjeç, banues në Tiranë, me qëllim për t’i vjedhur mjetin taksi me të cilin po udhëtonte nga Tirana në drejtim të Durrësit. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. S., 21 vjeç, banues në Selitë, Tiranë, pasi në datën 12.01.2021, në një pikë për transferta parash në lagjen nr. 1, Durrës, ka këmbyer 900 dollarë të dyshuara si të falsifikuara. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, kapjen dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ndaluan me iniciativë shtetasit F. Z., 20 vjeç dhe O. B., 19 vjeç, banues në Fushë Krujë. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi i mitur I. R., 17 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit L. B., 22 vjeç, H. X., 28 vjeç dhe D. B., 18 vjeç, banues në Fushë Krujë. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.02.2021, dyshohet se kanë vjedhur materiale në një kompani telefonike, ndërsa më datë 08.02.2021 dyshohet se kanë vjedhur vegla pune në banesën e shtetasit F. Xh., në Krujë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë, në vijim të punës për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës në familje, arrestuan në flagrancë shtetasin E. Sh., 32 vjeç, banues në Sukth, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin I. D., 51 vjeç, banues në Sarandë, pasi më datë 14.02.2021, duke transportuar me autoambulancë nga Saranda në drejtim të Tiranës, një paciente në gjendje të rëndë shëndetësore, ka dalë nga rruga në autostradën Durrës-Tiranë, duke u përplasur me murin rrethues të një subjekti dhe për pasojë ka ndërruar jetë pacientja, shtetasja A. Sh., 70 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Arrestohen në flagrancë 8 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë penale, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. K., 24 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, pasi nëpërmjet rrjeteve sociale ka kanosur një shtetase, duke e shtrënguar për dhënie pasurie. Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. S., 20 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi farash të lëndës narkotike kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Th. S., 25 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 39 vjeç, për veprën penale “Ndërtimi pa leje”. Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit I. M., 46 vjeç, pasi në banesë, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. Sh., 36 vjeç, E. T., 37 vjeç dhe I. Gj., 50 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 133 shtetas, nga këta: 29 janë të arrestuar, 11 janë ndaluar dhe 93 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 9 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 17 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 22 raste: 6 raste me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 16 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja me dhunë”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, ku autori është proceduar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Armëmbajtja pa leje”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Heqja e paligjshme e lirisë”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 3 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Fshehja e të ardhurave”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 11 aksidente, me 2 viktima dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë evidentuar dhe proceduar 6 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.