Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 12 shkurt 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, vihet në praga 1 shtetas. Arrestohen në flagrancë dhe 2 drejtues mjetesh, si dhe procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas të mitur. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Tiranë, në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër aktivitetit kriminal në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, goditën një tjetër rast. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit J. Ç., 28 vjeç, pasi në rrugën “Artan Lenja” është kapur në flagrancë duke shitur lëndë narkotike në doza, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me një shumë parash të përfituar nga shitja e lëndës narkotike dhe 1 peshore elektronike që përdorej për peshimin e saj. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë të shtetasve K. I., 46 vjeç dhe  S. R., 46 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 filluan procedimin në gjendje të lirë për shtetasit e mitur me iniciale E. K., 13 vjeç, F. M., 14 vjeç dhe E. B., 14 vjeç, pasi ditën e djeshme u kapën në flagrancë duke tentuar të vidhnin në një bankomat. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të 6 vjedhjeve të tjera të ndodhura gjatë muajit janar dhe shkurt. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Drejtorinë Hetimore në Drejtorinë në Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë (SPAK), ka bërë ekzekutimin e vendimit të datës 10.02.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, e cila ka caktuar masë sigurimi personal me karakter shtërnguese “Arrest në burg” ndaj shtetasve E. H., 42 vjeçe, për veprën penale ” Korrupsioni pasiv i Gjyqtarëve, prokuroreve ose funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim; A. T., 30 vjeç, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i Gjyqtarëve, prokurorëve ose funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshem ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike”, kryer në bashkëpunim; M. M., 52 vjeçe, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i Gjyqtarëve, prokurorëve ose funksionarëve të tjerë të drejtësisë”,  dhe “Korrupsioni aktiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”; S. P., 48 vjeç, B. P., 44 vjeç dhe A. S., 49 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve ose funksionarëve të tjerë të drejtësisë”; G. N., 45 vjeç, G. N., 41 vjeç, I. T., 54 vjeç, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshem ndaj personave që ushtrojë fuksione publike”, kryer në bashkepunim; Sh. K., 53 vjeç, për veprën penale “Ekspertim i rremë”; Masë sigurimi “Pezullimi i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik” ndaj shtetasëve E. P., 50 vjeç dhe T. F., 50 vjeç, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i punonjësve që ushtrojnë funksione publike”, dhe masën e sigurisë “Detyrimi për t’u paraqitur në policisë gjyqësore” ndaj shtetases M. S., 41 vjeçe, si e dyshuar për kryerjen e vepres penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshem ndaj personave qe ushtrojë fuksione publike”, kryer ne bashkepunim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të metejshme.

Tiranë – Më datë 11.02.2021, në rrugën “Josif Pashko”, në rrugë, është gjetur i shtrirë dhe me dëmtime në kokë, shtetasi R. A., 31 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për ngjarje aksidentale.

Fier – Policia vë në pranga një prej autorëve të dyshuar të vjedhjes me armë të mbetur në tentativë mbrëmjen e djeshme në Roskovec. Falë veprimeve të shpejta hetimore dhe koordinimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Fier, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e datës 10.02.2021, ku katër persona të maskuar dhe me armë zjarri tentuan të vidhnin banesën e shtetasit A. Ç., 57 vjeç, dhe për pasojë ngeli i plagosur në këmbë kushëriri i 57-vjeçarit, shtetasi A. Ç, 47 vjeç. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 26 vjeç, banues në Vlorë (i dënuar më parë për veprat penale “Plagosje” dhe “Vjedhje me dhunë”) Si rezultat i rrethimit në një perimetër të gjerë të zonës dhe kontrollit përgjatë natës dhe paradites së sotme, shërbimet e Policisë kapën 26-vjeçarin me automjetin tip “Nisan”, ku gjatë kontrollit të mjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një kapuç, maskë, një fenelinë dhe një radio si ajo e policisë, tre aparate celularë, një trapan, pesë copë fishekë arme gjahu, veshjet të dyshura të përdorura në kohën e ngjarjes. Gjithashtu, nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë gjahu, shtatë fishekë arme gjahu, një thikë metalike, tre radio si ato të policisë. Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë.

DVP Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Bien në prangat e Policisë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 1 prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë shtetasin N. B., banues në Derven, Krujë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë dhe një armë gjahu. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë u arrestua në flagrancë shtetasi D. Z., 24 vjeç, banues në Krujë, pasi ka tentuar të vjedhë materiale të ndryshme dhe disa vegla pune në banesën e shtetasit B. B. Gjithashtu u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim B. K., 57 vjeç, banues në fshatin Borizanë, Krujë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Krujë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 32 vjeç, banues në fshatin Perlat, Durrës, pasi ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 52 vjeç, banues në Durrës, i cili duke drejtuar mjetin tip “Opel”, në gjendje të dehur është përplasur me mjetin tip “Benz”, duke i shkaktuar dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës Krujë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Vijon puna hetimore për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë.  Zbardhet vrasja e dyfishtë e ndodhur në vitin 1998, në Vlorë. Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë.  Seksioni i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të ngjarjes së ndodhur në vitin 1998, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri 2 vëllezër, shtetasit B. H. dhe E. H. Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasit G. S., 47 vjeç, të cilit Gjykatës e Shkallës së Parë Vlorë i ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Vijon puna intensive për lokalizimim dhe arrestimin e këtij shtetasi.

Kuçovë, Berat – Vijojnë kontrollet nga Policia, për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.  Organizoi një takim në kundërshtim me masat anticovid, ndëshkohet me masë administrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik. Lejoi organizimin e këtij takimi në lokalin në pronësi të tij, ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i subjektit. Shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin B. K., përfaqësues i një subjekti politik, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin K. H., pronari i subjektit, pasi ka lejuar zhvillimin e këtij aktiviteti në subjektin në pronësi të tij, në kundërshtim me Aktin Normativ. Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë qytetarët, pronarët dhe administratorët e lokaleve, që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital, cilindo që nuk respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 48 shtetas, konkretisht: 12 janë ndaluar,10 janë arrestuar dhe 26 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në Durrës dhe 1 në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, në Elbasan, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 2 në Fier, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 4 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste: 2 në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 2 raste, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Ngacmimi seksual”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është ndaluar 1 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit,

Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 3 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Durrës.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.