Finalizohet operacioni policor i koduar “Vakuf”, për kapjen e personave të shpallur në kërkim në fushën e vjedhjes së pronës.
Kapet dhe ndalohet një 29-vjeçar i shpallur në kërkim policor, i dyshuar si autori i 7 rasteve të vjedhjes në banesa dhe lokale në qytetin e Peshkopisë dhe zonën rreth saj.
Në momentin e kapjes, Policia i gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë gjahu që e mbante pa leje, municion luftarak dhe një armë të ftohtë (thikë).
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Dibër, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës të ndodhura më parë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të identifikuar dhe të shpallur në kërkim, si rezultat i punës operative e hetimore, gjatë ditës së djeshme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vakuf”, në një banesë të braktisur në fshatin Vakuf, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim policor:
B. M., 29 vjeç, banues në Peshkopi.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vjedhja” dhe ‘Vjedhja e mbetur në tentativë’, pasi nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se është autor i dyshuar i 7 rasteve të vjedhjeve në banesa dhe në lokale, të ndodhura më parë në qytetin e Peshkopisë dhe zonat përreth saj.
Në momentin e ndërhyrjes, në tavanin e banesës së braktisur ku ishte i fshehur shtetasi B. M., Policia gjeti dhe sekuestroi një armë gjahu që e mbante pa leje, një armë të ftohtë thikë dhe municion luftarak.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë Dibër, për hetime të mëtejshme.