Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në trajnimin me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, për procesin zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë

Nis procesi i trajnimeve për punonjësit e Policisë mbi “Detyrat dhe rolin e Policisë së Shtetit gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet e datës 25 prill 2021”.

Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ditën e sotme, është zhvilluar një takim online mbi fillimin e procesit të trajnimit për drejtuesit dhe punonjësit e Policisë që do të jenë të angazhuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë që do të mbahen pas 3 muajsh.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në trajnimin me drejtuesit qendrorë dhe vendorë të Policisë, për procesin zgjedhor për Kuvendin e Shqipërisë.

I nderuar zoti ambasador Del Monaco,
I nderuar zoti Celibashi,
I nderuar zoti Jano,
Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,

Sot nisim një proces shumë të rëndësishëm, trajnimin për rolin dhe detyrat që ka Policia e Shtetit para, gjatë dhe pas zgjedhjeve. Jemi përpara zhvillimit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, që do të mbahen më 25 prill 2021, ndaj trajnimi i punonjësve të Policisë është shumë i nevojshëm.

Këto zgjedhje vlerësohen dhe kanë vëmendjen e të gjithë opinionit publik shqiptar dhe faktorit ndërkombëtar, për faktin se janë një tregues i rëndësishëm i ushtrimit të të drejtave themelore të njeriut në një shtet demokratik, siç është e drejta e votës, si shprehje e vullnetit të lirë dhe të patjetërsueshëm.

Policia e Shtetit është institucioni kryesor që ngarkon ligji për të krijuar një mjedis të sigurt dhe të qetë, që qytetarët në të gjithë vendin të ushtrojnë këtë të drejtë, por edhe për të ruajtur e siguruar procesin zgjedhor para, gjatë dhe deri në përmbyllje të tij, nga pikëpamja e rendit dhe e sigurisë, parandalimi, evidentimi dhe hetimi i paanshëm i veprave penale që cenojnë procesin zgjedhor.
Besimi i qytetarëve dhe i organizatave ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet, në integritetin e Policisë së Shtetit të arritur në zgjedhjet e mëparshme janë garanci për ushtrimin e të drejtës themelore për të votuar dhe inkurajim e mbështetje për Policinë e Shtetit, për më shumë profesionalizëm në funksion të zbatimit të ligjit dhe vetëm të ligjit.

Në zbatim të përgjegjësive që ligji dhe Kodi Zgjedhor na ngarkon për procesin zgjedhor dhe në parimin e shtetit të së drejtës se “Askush nuk mund të dalë mbi ligjin”, çdo punonjës i Policisë së Shtetit, në çdo rast, gjatë kryerjes së detyrës duhet të manifestojë standardet më të larta profesionale, etike dhe integritet në zbatimin me përpikmëri të ligjit.

Shembull i qartë i këtij angazhimi janë përvojat pozitive dhe standardet e arritura në proceset zgjedhore të viteve të mëparshme, ku Policia e Shtetit i ka kryer më së miri detyrat e saj, e shprehur kjo dhe në raportet e strukturave të specializuara ndërkombëtare që monitorojnë zgjedhjet dhe nga partnerët që asistojnë dhe këshillojnë Policinë e Shtetit.

Policia e Shtetit ka miratuar tashmë programin e vet për ndjekjen e detyrave në kuadër të këtij procesi. Janë caktuar pikat e kontaktit për komunikimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me partnerët ndërkombëtarë.

Është përgatitur programi i trajnimit sipas detyrave specifike për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit, përfshirë edhe trajnuesit, si dhe është përditësuar kurrikula për trajnimin e punonjësve të Policisë, për detyrat para, gjatë dhe pas mbylljes së procesit zgjedhor.

Këtij qëllimi i shërben edhe trajnimi i të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit, i cili fillon sot me drejtuesit qendrorë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe drejtorët e drejtorive vendore, për të vijuar më pas me të gjithë punonjësit që do të përfshihen në këtë proces.

Këto zgjedhje zhvillohen në një situatë të veçantë të imponuar nga masat kundër pandemisë COVID-19, të cilat ndikojnë në zhvillimin e fushatës nga subjektet zgjedhore, por nga ana tjetër janë një angazhim më tepër për punonjësit e Policisë e Shtetit, të cilët duhet të veprojnë me korrektësi dhe vendosmëri në zbatim të ligjit dhe vetëm të ligjit, duke bashkëpunuar me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, misionet monitoruese të procesit zgjedhor, si dhe me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit.

Ne jemi të privilegjuar që ligji na ngarkon me detyrën fisnike të ruajtjes dhe garantimit të procesit zgjedhor dhe të ushtrimit të së drejtës për të votuar i lirë dhe i sigurt dhe në këtë kuadër jemi të angazhuar maksimalisht jo vetëm për të ruajtur standardin pozitiv të fituar më parë, por për të arritur një standard më të lartë.

Duke përfunduar, gjej rastin të falënderoj prezencën e OSBE-së në Tiranë, Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe zv/Prokurorin e Përgjithshëm, për kontributin e tyre për zhvillimin e këtij trajnimi dhe dua të siguroj qytetarët se Policia e Shtetit është e orientuar dhe e fokusuar vetëm në zbatimin korrekt të ligjit dhe vetëm të ligjit.

Ju uroj suksese të gjithë kolegëve në procesin e trajnimit dhe të përmbushjes së detyrës.

Faleminderit!