Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Supervizori”. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë. Ekzekutohen 2 masa sigurie.  Seksioni për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, pas një pune hetimore 6-mujore, finalizoi operacionin policor të koduar “Supervizori”, për ekzekutimin e 2 masave të sigurisë “Arrest në burg” për shtetasit D. N., 47 vjeç, me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë; E. B., 36 vjeç, me detyrë punonjës i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Bashkinë Kamzë. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë një periudhe 6-mujore, qytetarëve të ndryshëm në zonën e Bashkisë Kamzë, të cilët i konstatonin duke kryer ndërtime pa leje, u kanë kërkuar dhe u kanë marrë shuma monetare, në këmbim të mosndëshkimit të tyre me masa administrative, sipas legjislacionit në fuqi. Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari korruptive. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kapën duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Komisariatin e Policisë Devoll, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një rast tjetër të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve B. A., 25 vjeç dhe N. B., 30 vjeç (i dënuar më parë për vjedhje) të dy banues në Golem. Shërbimet e Policisë kanë konstatuar në afërsi të fshatit Vishocicë, Devoll, dy mjete tip “Range Rover” dhe “Golf” për të cilët kishte dyshime se po transportonin emigrantë të paligjshëm dhe janë vënë në ndjekje të tyre. Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Range Rover” me drejtues shtetasin B. A., u gjetën 13 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së. Nga hetimet e kryera rezulton se edhe shtetasi N. B., i cili drejtonte mjetin tip “Golf”, ishte bashkëpunëtor me 25-vjeçarin B. A., në këtë veprimtari të paligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim.

Fier – Vijojnë kontrollet nga Policia e Fierit për monitorimin e zbatimit të masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Ndëshkohet me masë administrative 3.000.000 lekë, një subjekt në Fier (Lounge Bar), pasi u konstatua duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Si rezultat i kontrolleve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000.000 lekë, shtetasin E. Sh, pronar i një subjekti Lounge Bar në Fier pasi është konstatuar duke organizuar event festiv në kundërshtim me Aktin Normativ. Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë pronarët dhe administratorët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid për të bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qytetarët të denoncojnë në Komisariatin Dixhital cilindo administrator lokali që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për qytetarët.

Interpol Tirana – Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës, Departamentit të Policisë Kriminale dhe autoriteteve policore në Belgjikë u bë e mundur kapja e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi.  Nga Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet policore në Belgjikë, është bërë ekstradimi nga Belgjika drejt Shqipërisë, i shtetasit shqiptar Muhamet Belba, 51 vjeç. Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Belgjikë, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të nxjerrë nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 30.01.2007, e ka dënuar këtë shtetas me 22 vjet heqje lirie, për veprën penale “Vjedhje me armë me pasojë vdekjen”.  Shtetasi Muhamet Belba, në datë 17.02.1993, në Greqi, ka vrarë një shtetas grek, me qëllim grabitjen e një shume parash që kishte me vete.

Himarë, Sarandë – Arrestohet në flagrancë një 56-vjeçar dhe procedohet në gjendje të lirë një shtetas tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. G., 56 vjeç, banues në Himarë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan në gjendje të lirë shtetasin B. O., 60 vjeç, banues në Sarandë, pasi ka kryer veprime të turpshme me një shtetase të mitur 15-vjeçe. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë identifikuan dhe  shpallën në kërkim shtetasin I. P., 49 vjeç, banues në Vlorë, pasi mbrëmjen e djeshme, pas një konflikti të çastit ka goditur me mjet prerës (thikë) shtetasin A. B., 47 vjeç, banues në Vlorë, i cili pas ndihmës mjekësore ka dalë nga spitali. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi më datë 23.01.2021, shtetasi S. Gj., 38 vjeç, banues në Vlorë, ka kallëzuar se në lagjen “28 Nëntori” është goditur me sende të forta nga tre shtetas të panjohur. Më datë 23.01.2021, shtetasja L. S., 56 vjeçe, banuese në Vlorë, kallëzon se i është larguar nga banesa djali i saj O. H., 33 vjeç (rast i përsëritur, pasi vuan nga probleme të shëndetit mendor). Punohet për gjetjen e tij. Materialet iu referuan prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Berat – Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, vihet në pranga 20-vjeçari, pasi u kap duke vjedhur. Shpallet në kërkim vëllai i tij, autor dhe i disa vjedhjeve të ndodhura më parë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Berat bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit R. L., 20 vjeç, banues në Berat (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”).  Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e policisë duke vjedhur në lagjen Uznovë, bashkë me vëllanë e tij, disa zgara hekuri, njëkohësisht ka shkelur dhe masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat. Gjithashtu u shpall në kërkim vëllai i tij shtetasi E. L., 19 vjeç, i cili nga verifikimet e kryera rezulton të jetë autor dhe i disa vjedhjeve të ndodhura më parë, konkretisht: Në datën 03.01.2021 në fshatin Moravë, dyshohet se ka vjedhur në servisin e shtetasit L. B., 1 televizor dhe 1 laptop; Në datën 22.01.2021 në fshatin Orizaj dyshohet se ka vjedhur në dyqanin e shtetasit F. Rr,  1 televizor, 1 hard disk dhe 1 sharrë dore. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Kapen dhe ndalohen 3 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar. Arrestohen në flagrancë dhe 5 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale.  Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore nga Strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: Nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë ekzekutimi për shtetasin Blerim Levonja, 34 vjeç, i ekstraduar nga Gjermania, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 3 vjet e 4 muaj burg, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorit për shtetasin në kërkim A. S., 43 vjeç, banues në Tiranë, sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë e ka dënuar me 2 muaj burg, për veprën penale “Dhuna në familje”. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë, u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasin në kërkim D. K., 28 vjeç,  sepse Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka bërë revokimin e pezullimit të dënimit, duke e dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të pa rregullt”.  Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit S. B., 29 vjeç, banues në Tropojë, sepse tek sheshi “Karl Topia”, u kap duke drejtuar mjetin me leje drejtimi e dyshuar falsifikuar, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.  Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve A. K., 31 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”) dhe L. D., 34 vjeç, pasi në lagjen nr. 5, Kavajë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë dëmtuar xhamat e dritareve të lokalit si dhe kanë tentuar të djegin lokalin e shtetasit B. Rr. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. K., iu gjet e iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi farash lëndë e dyshuar narkotike e llojit canabis sativa. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve  F. R., 56 vjeç dhe A. L., 53 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprimet e mëtejshme.

Fier – Në vijim të punës për kapjen dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim bie në prangat e policisë një shtetas për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, kapën dhe ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim J. H., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme procedurale.

Dibër – Vijon zbatimi  i planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore. Procedohen penalisht 5 shtetas për “Prerje të paligjshme të pyjeve”. Gjithashtu procedohen penalisht për veprën penale “Moskallëzim krimi”, dy kryepleq fshatrash dhe kryetari i një Njësie Administrative. Sekuestrohet lënda drusore që u gjet e prerë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër,  në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe si rezultat i kontrollit të pandërprerë të territorit , gjatë një jave kanë evidentuar dhe goditur 5  raste, ku janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit: D. B., I. L., XH. F., A. S., XH. L., banues në Selishtë Dibër. Procedimi ndaj tyre ka filluar pasi, shërbimet e policisë gjatë kontrollit të territorit në zonën e Selishtës, kanë evidentuar që shtetasit e lartpërmendur kishin prerë në mënyrë të paligjshme lëndë drusore. Po në vijim të veprimeve në lidhje me këto raste, janë proceduar penalisht nga Policia shtetasit: S. M., (Kryeplak i fshatit Selishtë e Sipërme);  H. R., (Kryeplak i fshatit Selishtë e Poshtme);  F. M., (Kryetar i njësisë Administrative Selishtë);  si të dyshuar se kanë konsumuar elementët e veprës penale  “Moskallëzim  krimi”. Materialet procedurale në ngarkim të  shtetasve të lartpërmendur i  kaluan Prokurorisë Dibër për veprime të mëtejshme. Policia e Dibrës do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Mat – Më datë 22.01.2021, rreth orës 22:15, shtetasi A. C., 23 vjeç, dyshohet se është vetëmbytur në liqenin e Ulzës, në afërsi të banesës së tij në fshatin Urakë, ku sipas deklarimeve të familjarëve vuante nga depresioni. Forcat e           Policisë, në bashkëpunim me familjarët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit nga liqeni, ku nga këqyrja e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Në përfundim të veprimeve të para hetimore dyshohet se shkaku i vdekjes ka ardhur si pasojë e mbytjes në ujë. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë e Rrethit Mat, për ngjarje aksidentale.

Bulqizë – Ushtroi dhunë fizike ndaj nënës së tij, arrestohet në flagrancë nga Policia 41-vjeçari. Gjatë kontrollit fizik në momentin e shoqërimit policia i gjeti në trup edhe dy thika. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë , menjëherë pas njoftimit të marrë se në një banesë djali po dhunonte nënën duke i rrezikuar jetën , menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë duke bërë  neutralizimin dhe prangosjen e personit, i cili në momentin e kapjes nga policia, gjatë kontrollit fizik ju gjetën në trup edhe dy armë të ftohta thikë. Në përfundim të veprimeve  nga  specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, u arrestua në flagrancë shtetasi L. Xh., 41 vjeç,  banues në Gjoricë,  Bulqizë. Ky shtetas në banesën e tij  është konfliktuar me nënën duke e dhunuar e goditur në trup me një send të fortë (dru), e cila ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Dibër, për veprat  penale  “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Bulqizë – Më datë 24.01.2021, rreth orës 00:30, është marrë njoftim se tek vendroja e fabrikës së pasurimit të kromit në Bulqizë, është gjetur pa shenja jete shtetasi S. K., 59 vjeç, banues në Bulqizë. Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor dhe nga këqyrja e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se ky shtetas ka humbur jetën nga shkaqe natyrore. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.

DVP Lezhë – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Vihen në pranga 5 shtetas, 3 prej tyre të shpallur në kërkim. Shërbimet e Policisë Kurbin, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e shtetasve A. D., 48  vjeç, banues në Kurbin, pasi Gjykata e Apelit Tiranë ka njohur vendimin e Gjykatës Italiane dhe e ka dënuar me 7 vite burgim,nga i cili i ka mbetur dhe 1.8 vite  për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”; F. H.,22  vjeç,banues në Mamurras, i shpallur në kërkim policor, pasi ky  shtetas  në bashkëpunim me shtetasin E. S., i kanë vjedhur kartën e bankës shtetasit F. Xh. dhe kanë mundur të tërheqin një sasi parash. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë Lezhë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative u bë lokalizimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit: Gj. B.,53 vjeç, banues në fshatin Pllanë, Lezhë,pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë  ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Dhunë në familje”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve K. P.,18  vjeç,banues në Lezhë. Ky shtetas është kapur në qytet Lezhë  duke drejtuar mjetin tip “Fiat” pa leje drejtimi; K. N.,31 vjeç,banues në Kurbin ,pasi është kapur nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendjen të dehur. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër – U referuan materialet në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprën penale “Vjedhja”, pasi në orët e para të mëngjesit të datës 23.01.2021, është vjedhur me thyerje zyra e dy bizneseve (firma ndërtimi) në vendin e quajtur Kordhocë, Gjirokastër dhe e një biznesi në aksin rrugor Dhuvjan-Libohovë, ku kanë një sasi parash dhe serverat e kamerave të sigurisë. Për secilin rast është ngritur një grup hetimor që po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Morinë, Kukës – Vihet në pranga një tjetër  shtetas, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Korrupsioni . Arrestimi provizor i tij u bë në bashkëpunim me Interpol Tiranën, me qëllim ekstradimi drejt Turkmenistanit. Në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar të Morinës, shërbimet e Policisë Kufitare, si rezultat i masave të shtuara dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Tiranën, bënë ndalimin e shtetasit turk të shpallur në kërkim ndërkombëtar M. Ç,  59 vjeç, me kombësi turke, banues në Kosovë. Gjatë përpunimit dhe verifikimit të të dhënave në sistem, ky shtetas rezultoi person në kërkim ndërkombëtar Interpol Ashgabat të Turkmenistanit, pasi zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Turkmenistanit,  ka lëshuar ndaj tij urdhër-arrestin ndërkombëtar, për veprën penale “Korrupsioni”. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik &  Financiar në DVP Kukës bënë arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin e tij, mbështetur në “Konventën Evropiane të Ekstradimit” të vitit 1957.

Pogradec – Identifikohet dhe arrestohet në flagrancë drejtuesi i mjetit i cili mbrëmjen e djeshme, pasi aksidentoi me pasojë vdekjen një shtetas në fshatin Buçimas, u largua nga vendngjarja. Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore në DVP Korçë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e ngjarjes së ndodhur më datë 24.01.2021, në fshatin Buçimas, Pogradec, ku u aksidentua me pasojë vdekje këmbësori P. Gj., bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar së bashku me mjetin tip “Benz”, të cilin ky shtetas drejtonte. Në përfundim të veprimeve, u arrestua në flagrancë për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”, shtetasi E. J., 22 vjeç, banues në fshatin Rëmenj, Pogradec. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec për veprime të mëtejshme.

Devoll/Informacion paraprak – Më datë 25.01.2021, rreth orës 10:20, në fshatin Grapsh, Devoll, në një përrua, është gjetur pa shenja jete nga banorët e zonës, një shtetas ende i paidentifikuar, i cili nga të dhënat e para dyshohet se mund të jetë emigrant i paligjshëm. Nga këqyrja paraprake e trupit të tij, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ky shtetas mund të ketë gjetur vdekjen për shkaqe aksidentale. Trupi i pajetë do të dërgohet drejt morgut, ku pritet përgjigjja e ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Grupi hetimor po punon për të identifikuar viktimën si dhe për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

Fier – Zbardhet dhe dokumentohet vjedhja me thyerje e mbetur në tentativë e dyqanit të celularëve ndodhur 1 javë më parë në Fier. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Agimi”. Bien në prangat e policisë dy prej autorëve, shpallen në kërkim dy autorë të tjerë. Në vijim të punës intensive dhe veprimeve operative hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur orët e para të mëngjesit të datës 17.01.2021, ku u tentua të vidhet me thyerje dyqani i celularëve në pronësi të shtetasit R. C., nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u realizua me sukses operacioni policor i koduar “Agimi”. Në kuadër të këtij operacioni, u bë i mundur identifikimi i autorëve dhe ndalimi i dy prej tyre, shtetasve G. F., 32 vjeç, banues në Peshtan, Fier (i dënuar më parë për vjedhje) dhe E. G., 26 vjeç, banues në Zhupan, Fier. U shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy autorëve të tjerë, shtetasve A. F., 32 vjeç, banues në Peshtan i Vogël dhe G. B., 33 vjeç, banues në Fier. Gjatë tentativës për vjedhje, autorët janë pikasur nga një punonjës i policisë i cili ka ndërhyrë për të parandaluar vjedhjen duke u përplasur fizikisht me autorët, të cilët gjatë largimit kanë goditur me automjetin e tyre tip “Ford” mjetin privat të punonjësit të policisë. U sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Ford” i cili nga hetimet e kryera rezulton se është vjedhur në Tiranë në datë 13.12.2020 nga këta shtetas. Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 6 aparate celularë. Vijon puna për dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve të tjera të dyshuara të kryera nga ky grup kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhje me dhunë e mbetur në tentativë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” të kryera në bashkëpunim.

Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. R., 19 vjeç, banues në Strum, Roskovec. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë pasdites së djeshme, në fshatin Strum, është konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me shtetasin e mitur Sh. M., 13 vjeç, banues në Strum, Roskovec, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në kokë. Shtetasi i mitur ndodhet në spitalin rajonal Fier nën kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetësore. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”.

DVP Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan shtetasin S. Gj., 47 vjeç, banues në Levan pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, shtetases D. Gj., 32 vjeçe, e cila ishte e pajisur me urdhër-mbrojtjeje ndaj tij. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasit: Xh. D., 25 vjeç, banues në fshatin Kolonjë, Lushnjë, pasi në Ardenicë u kap nga shërbimet e policisë duke drejtuar në gjendje të dehur automjetin tip ”Ford”; A. P., 20 vjeç, banues në Fier, pasi në aksin rrugor Fier-Patos, duke drejtuar mjetin tip “Kamioçin-ATP“, ka aksidentuar shtetasin A. L., 46 vjeç dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Shtetasi A. L., pasi mori ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Fierit, u largua për në banesë. Sot rreth orës 01:15, në lagjen “Skënder Libohova”, Lushnjë, ka marrë flakë  automjeti tip “Benz”, në pronësi të shtetases B. Sh., i cili ishte i parkuar pranë pallatit. Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri ka ardhur si pasojë e një shkëndijë elektrike në motorin e automjetit. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier është bërë shpallja në kërkim dhe po punohet për gjetjen e shtetasit M. A., 28 vjeç, banues në Drizë, Fier, pasi ka bërë kallëzim babai i tij se djali (i cili vuan nga probleme të shëndetit mendor) është larguar nga banesa më datë 23.01.2021 dhe nuk është kthyer më.

Fier – Informacion paraprak. Sot, rreth orës 09:40, në lagjen “8 Shkurti”, në katin e parë të një pallati, në banesën e shtetasit Ll. Xh., 76 vjeç, si pasojë e një qiriu të ndezur, ka marrë flakë tapeti dhe janë djegur disa orendi. Nuk ka persona të lënduar. Shërbimet e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse kanë bërë të mundur shuarjen e zjarrit. Po punohet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Tiranë – Vijon puna për kapjen e personave në kërkim. Kapen dhe ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale. Arrestohet në flagrancë dhe një shtetas tjetër, për veprën penale “Drejtim i mjetit në mënyrë të parregullt”. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin në kërkim A. P., 53 vjeç, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor i ka caktuar në mungesë masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kanosja”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit Sh. Xh., 29 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 42 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.84 mg/l. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 143 shtetas, nga këta: 35 janë të arrestuar, 12 janë ndaluar dhe 96 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 22 raste, konkretisht: 8 raste të “Kanosja”; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”; 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja me paramendim”, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 30 raste: 11 raste me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 19 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të “Mashtrimi”, me 1 autor të arrestuar në arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të ”Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të ndaluar, 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 24 raste aksidentesh, me 3 viktima dhe 30 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 12 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.