Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin E. B., 36 vjeç, banues në Durrës, pasi u kap në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke vjedhur disa shishe me pije alkoolike në ambientet e një supermarketi. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin H. M., pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Më datë 21.01.2021, në urgjencën e spitalit rajonal Durrës është paraqitur për ndihmë mjekësore shtetasi maroken E. N., 28 vjeç, i cili dyshohet se është lënduar me mjet prerës (thikë). Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”.
Elbasan – Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Arrestohet një shtetas shqiptar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Interpol Tirana, pas një pune të mirorganizuar, lokalizuan, kapën dhe arrestuan përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, shtetasin shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar R. E., 54 vjeç, banues në Elbasan. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Torinos, Itali, në datën 25.11.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrje në organizatë kriminale për vjedhje me dhunë dhe grabitje”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Veprimet e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga Zyra e Interpolit Tiranë.
Sarandë/Informacion paraprak – Më datë 22.01.2021, rreth orës 06:15, në fshatin Viron, Finiq, në një stan ka rënë zjarr dhe si pasojë janë djegur rreth 200 bagëti (dele) dhe një sasi e konsiderueshme baze ushqimore. Nga hetimet paraprake dyshohet se zjarri ka rënë aksidentalisht. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Tiranë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes të drogave të forta në doza të vogla. Finalizohet pas disa javë hetimesh, operacioni policor i koduar “Lapraka”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve. Sekuestrohen dhjetëra doza me lëndë narkotike kokainë, një shumë parash që dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale, automjeti me të cilin autori qarkullonte për të shpërndarë lëndën narkotike dhe katër aparate celular. Vihet në pranga 40-vjeçari që posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike në doza, në Laprakë dhe në disa zona të tjera të Tiranës. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla, në zona të ndryshme të Tiranës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, pas një pune hetimore disajavore u bë e mundur goditja dhe dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarisë kriminale. Gjatë operacionit policor të koduar “Lapraka”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve kapën në rrugën “Allman Dervishi” dhe më pas arrestuan në flagrancë shtetasin R. S., 40 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në automjetin me të cilin ky shtetas qarkullonte u gjetën 63 doza lëndë narkotike kokainë, një shumë lekësh që dyshohen se janë të përfituara nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes së lëndës narkotike dhe katër aparate celular, të cilët janë sekuestruan në cilësinë e provave materiale bashkë me automjetin. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Tiranë – Më datë 21.01.2021, në bulevardin “Zhan D’Ark”, një person i paidentifikuar dyshohet se duke kanosur me anë të një pistolete lodër (çakmak), ka hyrë në ambientet e një farmacie dhe ka vjedhur një shumë parash. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Tiranë – Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Zbardhen dhe dokumentohen 22 raste të vjedhjeve të ndryshme, procedohen penalisht 3 shtetas të mitur, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit M. Z., 34 vjeç, pasi në Rrugën e Kosovarëve, gjatë kontrollit fizik iu gjet një sasi me lëndë narkotike heroinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor janë arrestuar në flagrancë shtetasit K. S., 22 vjeç, pasi në aksin rrugorë Tiranë – Durrës u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse; D. P.(Gj)., 31 vjeç, pasi në rrugën dytësore Vorë, pasi u kap duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.63 mg/l. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit e mitur me iniciale F. M., 14 vjeç, E. K., 13 vjeç, E. P., 17 vjeç, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin K. S., pasi nga veprimet hetimore ka rezultuar janë autorë të 22 rasteve të ndryshme të vjedhjes dhe tentativës për vjedhje në qarkun e Tiranës. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit 2020 dhe javëve të para të këtij viti, kanë vjedhur biçikletat e 5 shtetasve, produkte të ndryshme dhe shuma parash në markete dhe ambiente të tjera në qytetin e Tiranës. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë, për veprimet e mëtejshme.
Gjirokastër – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër ndaluan shtetasin G. L., 40 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një shtetase 25-vjeçare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.
Elbasan – U konfliktuan fizikisht me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta, para ndeshjes së futbollit Tirana-Partizani, arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 14 të tjerë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasit S. V., 28 vjeç dhe K. B., 19 vjeç, banues në Tiranë, si dhe kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 14 shtetas të tjerë. Arrestimi dhe procedimi i këtyre shtetasve u bë pasi në lagjen “Luigj Gurakuqi”, bulevardi “Aqif Pasha”, Elbasan, këta shtetas, si tifozë të ekipeve të futbollit Tirana dhe Partizani janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, duke përdorur sende të forta, dhe për pasojë janë dëmtuar 3 shtetas, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu është dëmtuar me sende të forta (gurë) një lokal në pronësi të shtetasit A. M. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për veprime të mëtejshme procedurale.
Bulqizë – U referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për ngjarje aksidentale, sepse më datë 21.01.2021, shtetasi B. C., 50 vjeç, banues në Bulqizë, pasi gjatë kohës që ka qenë duke punuar në një galeri kromi është shkëputur një masiv shkëmbor dhe për pasojë është lënduar në pjesën e këmbës. Aktualisht ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Berat/Informacion sqarues – Lidhur me një lajm që është publikuar në media, ku pretendohet se shtetasi me inicialet A. H., 32 vjeç, banues në Poliçan, është dëmtuar nga një masiv gurësh gjatë punës në Malin e Tomorit, ju informojmë se: Shtetasi A. H. është paraqitur në spitalin rajonal Poliçan, me dëmtime në fytyrë dhe në pjesën e krahut. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë bërë verifikimet, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ekspertimin mjeko-ligjor dhe bazuar në deklarimet e familjarëve ka rezultuar se shtetasi A. H. është rrëzuar nga pema e ullirit në fshatin Zgërbonj, gjatë kohës që ka qenë duke bërë krasitje. Për këtë rast është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes dhe materialet janë referuar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme procedurale. Shtetasi i A. H. ndodhet në spitalin e Traumës Tiranë, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 13 janë arrestuar dhe 71 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Berat dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Vlorë, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 1 në Tiranë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë; 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Berat dhe 1 në Korçë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kallëzim i rremë”, në Tiranë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimi i letërnjoftimeve, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Fshehja e të ardhurave”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve shkollore”, në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 2 në Shkodër dhe 1 në Durrës.
Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 5 të dëmtuar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 5 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Lezhë.
Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.