Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 janar 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Vijon puna për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandim të migrantëve dy javë më parë. Shkon në tre numri i personave të arrestuar, të cilët janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Në pranga drejtuesi i mjetit lundrues. Dy javë me parë, Policia ka vënë në pranga 2 personat përgjegjës për strehimin e shtetasve të huaj emigrantë, përkatësisht pronarin e një hoteli në Tiranë dhe pronarin e një banese në fshatin Trevllazër, Vlorë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, në vijim të punës për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandimin e migrantëve në rruge detare dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të tretë të kësaj ngjarjeje, shtetasin E. L.(A.), 26 vjeç, banues në Vlorë.  Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas ka qenë drejtuesi i mjetit lundrues (skafisti),  me të cilin migrantët nga vendet e treta do të largoheshin në drejtim të shtetit italian, më datë 08.01.2021. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Durrës – Më datë 19.01.2021, në lagjen nr. 6, Durrës, persona ende të paidentifikuar kanë vjedhur në magazinën e Drejtorisë Rajonale të Fondit të Detyrueshëm të Sigurimit Shëndetësor Durrës, disa soba gazi, kaseta metalike dhe disa pajisje kompjuterike të përdorura. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shkodër – Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativës për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Finalizohet operacioni policor i koduar “Gruda”. Goditet një rast i tentativës për shitje të farave të kanabisit, me qëllim kultivimin e tyre. Gjithashtu, gjatë operacionit goditet dhe një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Sekuestrohen rreth 4000 fara cannabis sativa dhe 140 doza me lëndë narkotike cannabis sativa. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Nga strukturat e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirë organizuar, u bë i mundur finalizimi i operacionit “Gruda”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit J. M., 43 vjeç dhe K. K. , 25 vjeç, të dy banues në fshatin Grude e Re, Shkodër. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, në ambientet e një lokali në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një qese me fara të bimës cannabis sativa dhe një qese me lëndë narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. K., ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese me lëndë cannabis sativa dhe një sasi farash të bimës cannabis sativa. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar në total rreth 4000 fara cannabis sativa dhe  140 doza lëndë narkotike cannabis sativa. Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet lidhjeve të tyre jashtë vendit, kishin siguruar 4000 fara të bimës narkotike cannabis sativa, të cilat do t’i shisnin kundrejt pagesës 16.000 euro. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat  penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.

Posta e Policisë Këlcyrë – Më datë  19.01.2021, shtetasi L. S., 31 vjeç ka kallëzuar se në datën 15.01.2021, rreth orës 09:00, është larguar nga banesa babai i tij S. S., 60 vjeç, banues në fshatin Tolar, Këlcyrë, i cili nuk është kthyer më në banesë. Punohet për gjetjen e tij.

Vlorë, Sarandë – Policia vë në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim, si dhe procedon penalisht 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Në vijim të punës për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit R. M, 38 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë proceduan në gjendje të lirë shtetasen T. A., me detyrë përgjegjëse në një bankë të nivelit të dytë, pasi është kallëzuar penalisht nga shtetasja S. K., për vjedhje të një shume parash që i kishte depozituar në këtë bankë që prej vitit 2012. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë janë proceduar penalisht shtetasit  O. K., dhe S. Sh., banues në Ksamil, pasi kanë pushtuar një sipërfaqe toke, në të cilën kanë mbjellë pemë ulliri. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. B, 26 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim L. R., 69 vjeç, banues në fshatin Strum, Roskovec, pasi Gjykata e Apelit Vlorë, me vendimin e datës 25.11.2020, e ka dënuar me 3 vjet burg, për veprën penale “Ngacmimi seksual”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.

Vlorë/Informacion paraprak – Rreth orës 10:00, në aksin rrugor Vlorë-Fier, në vendin e quajtur “Kripa”, një mjet tip “Benz” me drejtuese shtetasen V. Sh., 29 vjeçe, është përplasur me mjetin tip “Peugeot” me drejtues shtetasin M. S., 36 vjeç, ku si pasojë ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor po kryen veprimet e mëtejshme në lidhje me sqarimin e rrethanave të aksidentit.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 60 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 13 janë arrestuar dhe 39 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 5 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Tiranë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Elbasan; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste: 2 në Tiranë, me 1 autor të ndaluar dhe 1 autor të arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë;

Është evidentuar 1 rast i falsifikimi i letërnjoftimeve, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 4 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtjes pa leje, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, 2 në Shkodër dhe 1 në Durrës.

Në të gjithë territorin e vendit kanë ndodhur 5 raste aksidentesh, me 5 të dëmtuar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 ën Elbasan dhe 1 në Kukës.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.