Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Kurbin – Vijon operacioni “Godull”. Shkon në 3 numri i të arrestuarve në kuadër të këtij operacioni. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe forcat operacionale, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kurbin. Kapet dhe ndalohet 25-vjeçari i shpallur në kërkim për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacione të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, nga shërbimet e Policisë është organizuar dhe finalizuar operacioni policor “Godull “, si rezultat i të cilit u kap dhe u ndalua shtetasi B. Z., 25 vjeç, banues fshatin Shperdhet, Kurbin. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në muajin mars 2020, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale ” Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas në bashkëpunim me shtetasit S. Z. dhe R. S. (të cilët janë ndaluar gjatë operacionit “Godull”, ), në mars 2020, në fshatin Godull, Kurbin, kanë tentuar të trafikojnë me gomone, 613 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Më datë 16.01.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasit B. L., 34 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 16:00, në rrugën “Ndre Mjeda”, ka plagosur me thikë shtetasin e mitur me iniciale K. Ç., 16 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Vlorë – Vijon puna për zbardhjen e plotë të tentativës për kontrabandim të migrantëve.  Identifikohet, kapet dhe ndalohet një 31-vjeçar, i dyshuar si autori i dytë i kontrabandimit të migrantëve nga vendet e treta, në drejtim të Italisë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë,  në vijim të punës për zbardhjen e plotë tentativës për kontrabandimin e migrantëve në rruge detare dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, bënë të mundur identifikimin, kapjen dhe ndalimin e autorit të dytë të kësaj ngjarjeje, shtetasi Q. I., 31 vjeç, banues në Trevllazër, Vlorë. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në banesën e tij në fshatin Trevllazër, shtetasit e huaj emigrantë që kishin ardhur nga Tirana, të cilët do të largoheshin nëpërmjet rrugës detare në drejtim të shtetit italian, më datë 08.01.2021. Vijojnë intensivisht veprimet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor të koduar “Perimetri”. Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt shpërblimit. U kap duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me shërbimet e “Frontex”, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë dhe Komisariatin e Policisë Devoll, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. L., 35 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë. Shtetasi i mësipërm u kap nga forcat e Policisë, në fshatin Vishocicë, Devoll, duke transportuar me një mjet tip kamionçinë 13 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Më datë 15.01.2021, shtetasi me iniciale V. M. ka kallëzuar se në numrin e tij celular është dërguar një mesazh nga një numër telefoni i panjohur, që e ka kërcënuar për jetën e tij dhe të familjarëve të tij, për shkak të profesionit që ai kryen si avokat dhe heqjen dorë nga mbrojtja e një personi që aktualisht ai përfaqëson. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Durrës – Tentoi të kalonte kufirin me dokumente të dyshuara si të falsifikuara, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari. Arrestohet në flagrancë dhe 1 drejtues mjeti. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshëm në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin F. H., 39 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë, pasi gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Port, Durrës, kanë konstatuar se ky shtetas po tentonte të kalonte kufirin me dokumente të dyshuara si të falsifikuara. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në vijim të punës për parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ndëshkimin e atyre drejtuesve që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur, arrestuan në flagrancë shtetasin R. D., 53 vjeç, banues në Sukth, pasi në Shijak u konstatua duke drejtuar mjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 123 shtetas, nga këta: 32 janë të arrestuar, 9 janë ndaluar dhe 82 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë”, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 21 raste: 3 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 18 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës me zjarr, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të “Trafikimi i mjeteve motorike”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, me 8 autorë qo procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve shëndetësore”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 12 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast “Kundërshtimi i punonjësit të policisë”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të ”Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 9 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.