Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Berat – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas. Nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. B., 30 vjeç, banues në Berat, pasi ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, shtetases F. B. Nga specialistët e Sektorit për Qarkullimin Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M. D., 35 vjeç, banues në Otllak, Berat, pasi në vendin e quajtur “Baypass-i i Ri”, është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Më datë 09.01.2021, në rrugën “Riza Cerova”, në Babrru, dyshohet se për shkak të gjendjes depresive është hedhur nga lartësia e pallatit ku banonte dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasja S. M., 57 vjeçe.

Elbasan  – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Vihet në pranga një 35-vjeçare, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 5 shtetas të huaj nga vendet e treta. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të  parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetase po transportonte nga Korça, disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, kapën dhe arrestuan shtetasen K. B., 35 vjeçe, banuese në fshatin Libonik, Korçë. Arrestimi i saj u bë pasi në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin tip “Volksëagen”, 5 shtetas sirianë, kundrejt përfitimit 200 euro për person. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua mjeti, 410 euro që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe një aparat celular. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Devoll – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Devoll bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit I. D., 45 vjeç, banues në fshatin Gracë, Devoll, pasi dyshohet se në këtë fshat i ka vjedhur shtetasit J. M., 58 vjeç, në mjetin e tij tip “Benz”, dokumentin e identifikimit, lejen e drejtimit dhe të qarkullimit, një portofol dhe një palë çelësa të mjetit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vjedhja”.

Korçë – Vijojnë kontrollet për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19. Evidentohen 2 raste të shkeljes së protokolleve të sigurisë. Ndëshkohen me masë administrative 1.000.000 lekë secili, dy subjekte, pasi u konstatuan duke ushtruar aktivitet në kundërshtim me Aktin Normativ. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë kanë vijuar me kontrollet në terren, për të monitoruar zbatimin e masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Gjatë këtyre kontrolleve, në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, shtetasi E. Sh. u konstatua duke zhvilluar në restorantin e tij, një aktivitet festiv, në kundërshtim me Aktin Normativ, duke mos respektuar protokollet e sigurisë. Gjithashtu, në lagjen nr. 6, Korçë, shtetasi M. Z. u konstatua duke ushtruar aktivitetin pas orarit të përcaktuar për mbyllje, në kundërshtim me Aktin Normativ.  Secili nga subjektet është ndëshkuar me masën administrative 1.000.000 lekë, në bazë të Aktit Normativ nr. 3, datë 15.03.2020, Neni 3, pika 7. Policia e Korçës apelon për të gjithë pronarët/administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitet, të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë dhe masat kufizuese, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Vlorë – Policia vë në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë ligjore, kanë ndaluar shtetasin A. B., 21 vjeç, banues në Selenicë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 2 vjet burg, për veprën penale“Armëmbajtja pa leje”. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u bë ndalimi i shtetasit  E. Xh., 39 vjeç, banues në Sarandë, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur 13 vjeçe. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër – Vijojnë kontrollet për goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë. Finalizohet operacioni policor i koduar “Bërdica”. Lëvizte me armë zjarri me vete, kapet dhe arrestohet në flagrancë gjatë operacionit, 48-vjeçari. Në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative  se një shtetas që lëvizte me armë zjarri me vete ishte futur në një lokal në Bërdicë, menjëherë është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Bërdica”. Në kuadër të operacionit, nga Forcat Operacionale të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi B. K., 48 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër.  Arrestimi i tij u bë pasi, në një lokal në fshatin Berdicë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj këtij shtetasi, punonjësit e Policisë kanë konstatuar se ai mbante me vete një pistoletë tip zastava, me një krehër me 9 fishekë, pa lejen e organeve kompetente. Arma e zjarrit pistoletë dhe fishekët u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 106 shtetas, nga këta: 22 janë të arrestuar, 9 janë ndaluar dhe 75 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 4 raste të “Kanosja”, 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe  5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 22 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 19 raste: 1 rast me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 18 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të shkatërrimit të pronës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i armëmbajtës pa leje, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mashtrimi në kredi”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i letërnjoftimeve”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 4 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të ”Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 12 raste aksidentesh, me 16 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 10 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.