Policia e Lezhës zbardh ngjarjen e ndodhur më datë 19.11.2020, në Shëngjin, ku shpërtheu një sasi lënde plasëse në objektin në pronësi të shtetasit L. Gj.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Eksplozivi”.
Operacioni nga DVP Lezhë dhe Komisariati i Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë.
Gjatë operacionit kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vendosjes së eksplozivit.
Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, pas një pune profesionale hetimore, bënë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të vendosjes së eksplozivit në një objekt në ndërtim në Shëngjin.
Si rezultat i provave të grumbulluara u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Eksplozivi”, si rezultat i të cilit, në bashkëpunim më Komisariatin e Policisë Krujë, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. P., 21 vjeç, banues në Larushk, Krujë.
Ky shtetas, më datë 19.11.2020, në Shëngjin, Lezhë, dyshohet të ketë vendosur në një nga kolonat e një objekti në ndërtim, në pronësi të shtetasit L. Gj., një sasi lënde plasëse, nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale.
Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, në ngarkim të shtetasit E. P., për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Prishja e qetësisë publike”, “Mbajtja pa leje e municioneve luftarake” dhe “Kanosja”.