Në vlerësimin e përgjithshëm të mjedisit ku punon policia është mjaft i rëndësishëm dhe vlerësimi i jashtëm i organizatës, sidomos kur ky proces realizohet nga publiku.
Matja e kënaqësisë së publikut është mjaft i nevojshëm për rritjen e performancës, përcaktimin sa më të mirë të drejtimeve ku duhet të përqendrohen puna dhe burimet njerëzore e materiale të policisë, por edhe për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies.
Jemi mjaft të kënaqur që ky vlerësim, i cili prezantohet sot për Policinë e Shtetit, në vazhdim të traditës disavjeçare, është kryer e hartuar nga aktorë të pavarur dhe të besueshëm, siç është në këtë rast Projekti i Qeverisë Suedeze “Forcimi i Policimit në Komunitet në Shqipëri”, në bashkëpunim me “Institutin për Zhvillim, Kërkim dhe Alternativa”.
Ndihemi të vlerësuar për konkluzionet që ka arritur studimi për ndjesinë e publikut për sensin e sigurisë, për sjelljen e policisë, si dhe për transparencën dhe përgjegjshmërinë, ku vërehet përmirësim i ndjeshëm i disa treguesve.
Pa dashur të përsëris konkluzionet e studimit, desha të ndalesha në veprimtarinë e Policisë së Shtetit që ka sjellë rezultatet e dëshiruara dhe këtë perceptim të publikut.
Policia e Shtetit, përveç ndjekjes së prioriteteve kombëtare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, i ka kushtuar rëndësi mjaft të madhe policimit në komunitet. Kjo është arritur duke hartuar strategji të veçanta, duke ngritur struktura të lidhura ngushtë me komunitetin, si dhe duke i mbështetur me burimet e nevojshme njerëzore e materiale. Zyrat e pritjes së qytetarëve janë rikonstruktuar ose ngritur nga e para, janë përmirësuar në mënyrë të ndjeshme normat dhe procedurat standarde të punës, si dhe është përmirësuar ndjeshëm shërbimi ndaj publikut. Ndërkohë, në mënyrë të vazhdueshme janë nxjerrë shqetësimet kryesore të publikut të gjerë në lidhje me kriminalitetin dhe është punuar shumë për zgjidhjen e çështjeve që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me jetën e përditshme të qytetarëve.
Të gjitha këto kanë sjellë përmirësimin e kënaqësisë së publikut duke arritur në nivele mjaft të larta, ku 80 % e të anketuarve janë shprehur se ndihen “shumë të sigurt” ose “të sigurt” në zonat ku banojnë.
Po si mund të argumentohen këta tregues? Për këtë qëllim është e nevojshme të ndalemi në disa tregues konkret, të cilët lidhen drejtpërdrejt me sigurinë e qytetarëve.
Kështu p.sh. vrasjet me dashje kanë ardhur në rënie të vazhdueshme, nga 102 në 11 mujorin 2013 në 52 në vitin 2019 dhe në 45 në vitin 2020. Gjithashtu, vjedhjet me pasojë vdekjen kanë rënë nga 6 raste në 11 mujorin e vitit 2013 në asnjë rast gjatë 11 mujorit 2019 dhe 2020. Po kështu, vjedhjet me armë kanë rënë nga 94 në 11 mujorin e vitit 2013 në 14 në 2019 dhe në 13 gjatë këtij viti. Vjedhjet e banesave kanë rënë nga 1126 në vitin 2018 në 818 në vitin 2020 duke u rritur edhe fuqia zbuluese nga 41.4% në 46.2 %. Veprat penale për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor kanë rënë nga 5266 në 11 mujorin e vitit 2018 në 4870 në 11 mujorin e këtij viti.
Vitet 2018, 2019 dhe 2020 kanë qenë vite sfidash për Policinë e Shtetit, pasi ajo është përballur me detyra të vështira e delikate si masat për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, masat kundër pandemisë, masat gjatë sezoneve turistike si dhe masat gjatë protestave e manifestimeve të shumta të zhvilluara gjatë kësaj periudhe.
Gjatë gjithë veprimtarisë së saj, Policia e Shtetit ia ka dalë që t’i përballojë me sukses këto sfida, duke vendosur njëkohësisht standarde të larta për sjelljen e policisë ndaj qytetarëve. Kjo ka ardhur edhe falë planifikimit profesional dhe marrjes së masave të policisë, trajnimit të vazhdueshëm të punonjësve të policisë për etikën dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, por edhe marrjen e masave dhe mbajtjes së qëndrimit për ata punonjës policie që kanë shfaqur mangësi e të meta në veprimtarinë e tyre. Për këtë arsye, vlerësimi i qytetarëve për sjelljen e policisë ka ardhur në përmirësim të vazhdueshëm. 65 % e qytetarëve janë shprehur se policia i trajton njerëzit me respekt dhe 60 % se policia është e paanshme, duke u përmirësuar me 8% nga viti 2018 për të dy këta indikatorë.
Përgjegjshmëria, transparenca dhe llogaridhënia janë përmirësuar më tej gjatë këtyre viteve. Rezultatet e këtij studimi janë më pozitive se ato të vitit 2018 përsa i përket ndershmërisë dhe transparencës me të cilën policia i shpjegon vendimet që merr.
Bashkëpunimi i publikut me Policinë, ndonëse ka një rënie të lehtë krahasuar me vitin 2018, ka një trend në rritje nga 2014. Një tregues për këtë është numri i telefonatave nga publiku nga 156.267 në vitin 2013 në 577.496 për 11 mujorin 2020. Vetëm për denoncimet në fushën e korrupsionit, treguesit janë rritur nga 124 në vitin 2017 në 183 në 11 mujorin e këtij viti.
Ashtu si e përmendëm më lart, ky studim do t’i vlejë Policisë së Shtetit edhe për të analizuar e vlerësuar situatën dhe marrjen e masave të mëtejshme për të ardhmen. Me gjithë treguesit pozitivë në shumicën e indikatorëve vërehet se në disa tregues ka një rënie të lehtë. Gjithashtu, konstatohet se në disa raste edhe pse treguesit janë përmirësuar dukshëm, ato mbeten poshtë mesatares evropiane.
Të gjithë këta tregues do analizohen me përgjegjësi, duke përcaktuar shkaqet dhe masat që duhet të ndërmarrim për përmirësimin e mëtejshëm të punës së policisë në të ardhmen.
Faleminderit!