Veliu dhe Gabrielli nënshkruajnë deklaratën e mirëkuptimit ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit të Republikës së Shqipërisë dhe Departamentit të Sigurisë Publike të Policisë italiane.
Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike në Policinë italiane Franco Gabrielli tha se nga pikëpamja operacionale, ky është një tjetër rezultat i rëndësishëm në marrëdhëniet e gjata dhe të konsoliduara të bashkëpunimit me Shqipërinë dhe do të mundësojë ngritjen e një tryeze teknike të përhershme midis dy drejtuesve të Policisë, kushtuar çështjeve strategjike në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu tha se ngritja e tryezës teknike, e dëshiruar fuqimisht edhe nga ambasadori i Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, do të jetë vendi i duhur për të ndarë nevojat e reja operacionale dhe për të thelluar çështjet e pazgjidhura dhe iniciativat që do të zhvillohen, duke iu shtuar një morie të gjerë mjetesh, përmes së cilave të forcohet bashkëpunimi policor tashmë i shkëlqyer.
Deklarata e mirëkuptimit sjell në vëmendje dispozitat e përfshira në marrëveshjen e bashkëpunimit midis qeverisë së Republikës italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në luftën kundër krimit, nënshkruar në Tiranë në 19 qershor 2007, e cila parashikon mundësinë e rënies dakord për takimet ndërmjet organeve kompetente të të dy vendeve për të verifikuar gjendjen e zbatimit të marrëveshjes, rezultatet e arritura dhe për të identifikuar fazat pasuese të programit të bashkëpunimit.
Një lidhje e gjatë dhe historike midis dy vendeve, që mund të mbështetet në një prani të konsiderueshme italiane në Shqipëri, në terma sasiorë dhe cilësorë, përmes projekteve IPA dhe Pameca V dhe zyrës së Ekspertit për Sigurinë, shoqëruar nga një aktivitet po aq i qëndrueshëm operacional, bazuar në shkëmbimin e vazhdueshëm dhe intensiv të informacionit, në pjesëmarrjen në ekipe të përbashkëta hetimore dhe në kërkimin e personave të shpallur në kërkim.