Dibër – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Maqellarë

Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Maqellarë.

Vihet në pranga 18-vjeçari, për vrasje nga pakujdesia, si dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë një shtetas tjetër.

Sekuestrohet arma e gjahut tip çifte, me të cilën autori i dyshuar, nga pakujdesia, plagosi me pasojë vdekjen 27-vjeçarin.

Strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në “Kodrat e Obokut”, Maqellarë, ku humbi jetën shtetasi G. K., 27 vjeç.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. GJ., 18 vjeç, banues në Maqellarë, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi E. M., 23 vjeç, pasi arma me të cilën është kryer qitja, i përket këtij shtetasi, të cilën e mbante pa lejen e organeve përkatëse.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasit e lartpërmendur, rreth orës 13:00, datë 17.12.2020, kishin dalë në “Kodrat e Obokut” për piknik, duke marrë me vete dhe një armë gjahu. Gjatë kohës që shtetasi R. Gj., ka bërë qitje ka plagosur aksidentalisht me pasojë vdekjen  27-vjeçarin.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia”, dhe “Prodhimi dhe mbajta pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.