Lezhë – Vodhën një mjet furgon, falë reagimit në kohë të Policisë arrestohen në flagrancë autorët

Vodhën një mjet furgon, falë reagimit në kohë të Policisë arrestohen në flagrancë autorët.

Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pas kallëzimit të marrë nga shtetasi A. D. se në stacionin në kryqëzimin e Shëngjinit i kishin vjedhur mjetin tip furgon që e kishte lënë të parkuar, menjëherë shërbimet e Policisë të Komisariatit Lezhë kanë organizuar punën për identifikimin e autorëve dhe gjetjen e mjetit.

Falë punës së mirorganizuar, Policia ka bërë të mundur që brenda një kohë të shkurtër të identifikojë dhe të arrestojnë në flagrancë dy autorët, si dhe të bllokojë automjetin e vjedhur.

Shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë, në vendin e quajtur “Kune”, Shëngjin, shtetasit:

-E. J., 19 vjeç, banues në Ishull, Shëngjin dhe A. G., 17 vjeç, banues në Lezhë.

Pas verifikimit të dokumentacionit, shërbimet e Policisë kanë konstatuar se të dy këta shtetas drejtonin mjetin pa leje drejtimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”.