Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 18 dhjetor 2020

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Lezhë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Falsifikatori”. Operacioni nga Seksioni i Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”. Në pranga 2 shtetas, për falsifikim letërnjoftimesh. Sekuestrohen 1 automjet, 19 pasaporta, 23 karta identiteti dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë DVP Lezhë, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponjat”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se 2 shtetas që merreshin me veprimtarinë e paligjshme të falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave po lëviznin me mjet nga Kukësi në drejtim të Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Falsifikatori”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. S., 27 vjeç dhe R. H., 39 vjeç, banues në Kukës.  Në hyrje të qytetit të Rrëshenit, shërbimet e Policisë së DVP Lezhë kanë evidentuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë ndalimin e tij.  Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford Mustang” me drejtues shtetasin R. H. dhe pasagjer shtetasin L. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 23 karta identiteti, 19 pasaporta dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara. Në vijim të veprimeve, nga shërbimet e Policisë Kukës është ushtruar kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku përsëri janë gjetur letërnjoftime të tilla. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti “Ford Mustang”, pasaportat, kartat e identitetit dhe lejet e drejtimit të falsifikuara. Vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Materialet hetimore janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”.

Kukës – Arrestohet në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës arrestuan në flagrancë shtetasin K. A., 42 vjeç, banues në Kukës, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në banesë iu gjetën dhe sekuestruan dy dokumente identifikimi italiane me gjeneralitetet dhe fotografinë e tij, të dyshuara të falsifikuara. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”. Drejtoria Vendore e Policisë Kukës do të vijojë punën për goditjen e paligjshmërisë, ndaj fton qytetarët e qarkut për të denoncuar çdo rast të paligjshmërisë në nr. 129, në aplikacionin “Komisariati Dixhital” ose në faqen zyrtare të Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e profesional.

Durrës/Informacion paraprak – Më datë 18.12.2020, në orën 02:15, në segmentin rrugor Sektor Rinia-Fllakë, është gjetur pa shenja jete në një kanal buzë rrugës, shtetasi J. B., 67 vjeç, banues në Durrës. Nga këqyrja paraprake nuk konstatohen shenja dhune dhe dyshohet se është mbytur aksidentalisht. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 2 drejtues mjetesh. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e disiplinës së punës në transport ”, i shtetasit Sh. H., 33 vjeç, sepse në rrugën “5 Maji”, gjatë kohës që ka qenë duke drejtuar mjetin fugon tip “Benz”, ka hipur nga pas fugonit dhe për pasojë është rrëzuar dhe është dëmtuar në kokë fëmija i mitur me iniciale R. L., 7 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, shtetasin B. G., 59 vjeç, pasi në rrugën “Sado Kosheno” është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, në masën 0.63 mg/l. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Më datë 18.12.2020, rreth orës 02:20 të mëngjesit, në rrugën “Reshat Konci”, në rrethimin e jashtëm të banesës së shtetasit M. P., 43 vjeç, ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar si lëndë plasëse, me pasojë vetëm dëme shumë të vogla materiale. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 57 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 6 raste: 1 rast i “Kanosja”; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Berat dhe 1 në Korçë; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” në Berat, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 rast i “Vrasja nga pakujdesia”, në Dibër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Lezhë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste: 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Kukës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 5 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të “Vjedhja e energjisë elektrike”, 1 në Korçë, 1 në Berat, 1 në Vlorë, 2 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i shkatërrimit të pronës, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, 1 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Elbasan, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, 1 në Lezhë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 6 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 2 në Durrës.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjete pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.