Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”.
Ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, si edhe arrestohen në flagrancë 2 bashkëpunëtorët e tij, të cilët u kapën duke transportuar kundrejt fitimit, 7 emigrantë të paligjshëm.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimit në DVP Korçë dhe Policinë Kufitare, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim M. S., 23 vjeç, banues në Tiranë dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit B. D., 20 vjeç, banues në Tiranë dhe R. K., 25 vjeç, banues në Durrës.
Shtetasit e mësipërm janë kapur nga forcat e Policisë, në afërsi të fshatit Beragozhd, Pogradec, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetet tip “Benz” dhe “Ford”, 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shumës 1400 euro në total, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Shtetasi M. S. ishte shpallur në kërkim policor më datë 11.10.2020, në kuadër të këtij operacioni, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprime të mëtejshme.