Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Shkodër – Tentoi të vriste me armë zjarri 37-vjeçarin pas një konflikti të çastit, ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi ngjarjen. Policia kapi gjatë ndjekjes 20-vjeçarin, autorin e ngjarjes, të cilin e ka arrestuar në flagrancë për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”. Gjithashtu, shërbimet e Policisë sekuestruan dhe armën e zjarrit pistoletë me silenciator. Po gjatë ndërhyrjes, shërbimet e Policisë vunë në pranga pronarin e lokalit, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara “, “ Fshehja e të ardhurave“, Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë“ dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë dhe 37-vjeçarin që tentoi të vriste 20-vjeçari, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”. Policia e Shkodrës, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, sapo ka marrë një telefonatë se në fshatin Vrakë, në ambientet e një lokali po ndodhte një konflikt mes dy shtetasve, menjëherë ka shkuar në drejtim të adresës së dhënë. Falë reagimit në kohë, shërbimet e Policisë kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që do kishte pasoja të rënda për jetën, pasi shtetasi K. K., 20 vjeç, ka tentuar të vrasë për motive të dobëta, me armë zjarri, shtetasin J. P., 37 vjeç, banues në Shkodër, duke e qëlluar një herë me armë zjarri pistoletë, por pa i shkaktuar dëmtime trupore. Mbërritja në kohë e shërbimeve bëri të mundur parandalimin e mëtejshëm të konfliktit, ndërkohë që 20-vjeçari, sapo ka parë Policinë është larguar me shpejtësi, por është kapur gjatë ndjekjes. Shërbimet e Policisë bënë të mundur edhe gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit pistoletë me silenciator, të cilën autori e hodhi në rrugë gjatë ndjekjes së Policisë, si dhe automjetin me të cilin ai tentoi të largohej. Në vijim të veprime, Policia arrestoi në flagrancë shtetasin A. P., 45 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit në pronësi të tij, u gjetën dhe u sekuestruan një sasi birre në shishe pa pullë fiskale, një tavoline pokeri, dy pako letra bixhozi dhe një pako çipsa për lojë pokeri. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë edhe shtetasin J. P., 37 vjeç, për veprën penale “Organizim i lotarive të palejuara“, pasi kishte në pronësi tavolinën e pokerit që u gjet në lokalin e 45-vjeçarit. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, njëri prej tyre me precedent të mëparshëm kriminal. Bie në prangat e Policisë një 40-vjeçar i shpallur në kërkim kombëtar. Forcat “Shqiponja” në DVP Durrës, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Plazh, në zbatim të Planit të Masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe evidentimin e personave që lëvizin me sende të kundërligjshme, kanë organizuar një pikë kontrolli në vendin e quajtur “Mbikalimi i Plepave” në lagjen nr. 13, Durrës dhe si rezultat kanë goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit M. R., 25 vjeç dhe J. B., 24 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja me dhunë”), të dy banues në Tiranë. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Opel” në pronësi të shtetasit J. B., shërbimet e Policisë kanë gjetur rreth 300 gr. lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike e gjetur në mjet, mjeti tip “Opel dhe 2 aparate celularë. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre para përgjegjësisë penale, ndaluan shtetasin A. T., 40 vjeç, banues në Hamallaj, Durrës, të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, në vitin 2017, e ka dënuar me 7 muaj burg, për veprën penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në lagjen nr. 13, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Himarë – E dhunuan fizikisht dhe i hoqën në mënyrë të padrejtë lirinë për disa orë 41-vjeçarit, Policia zbardh ngjarjen, identifikon dhe vë në pranga 3 autorët e dyshuar të ngjarjes. Policia e Himarës, më datë 27.10.2020, ka marrë një njoftim se në lagjen nr. 1, Himarë, 3 shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kishin marrë me forcë në mjetin tip “Opel”, shtetasin S. G., 41 vjeç, të cilin e kanë dhunuar fizikisht dhe më pas e kanë mbajtur jashtë vullnetin të tij. Menjëherë, shërbimet e Policisë Himarë, në bashkëpunim me strukturat hetimore të DVP Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes, gjetjen e personit, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e autorëve. Pas një pune profesionale dhe hetimore u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi i autorëve, si dhe gjetja e personit, i cili pasi ishte dhunuar dhe mbajtur disa orë peng, nuk kishte njoftuar Policinë, por ishte larguar në drejtim të Sarandës pa njoftuar as familjarët e tij. Mbi bazën e provave të grumbulluara, shërbimet e Policisë Himarë, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja”, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasve N. M., 26 vjeç, A. M., 26 vjeç (vëllezër), dhe I. M., 26 vjeç, banues përkohësisht në Himarë. Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për shkak të mosmarrëveshjeve që kishin më parë, për motive të dobëta, kanë marrë me forcë në makinën e tyre, shtetasin S. G., të cilin e kanë dhunuar fizikisht e më pas e kanë braktisur në një zonë të pyllëzuar, 2 km në lindje të qytetit të Himarës. Pas disa orësh, shtetasi S. G. ka shkuar në banesën që kishte me qira në Himarë, është mjekuar dhe është larguar në drejtim të Sarandës, ku më pas është gjetur në fshatin në fshatin Mursi, Sarandë, duke punuar në punë sezonale. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti tip “Opel” i përdorur nga tre të rinjtë. Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Finalizohet pas një hetimi 4-mujor operacioni policor i koduar “Gomeni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Ekzekutohen 14 masa sigurie. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative për disa shtetas që merreshin me kultivimin e bimëve narkotike, kryesisht në zonën e Njësisë Administrative Zallherr, në malin e Gomenit, u referuan materialet në Prokurori, ku u regjistrua dhe procedimi penal. Pas një hetimi katërmujor, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim m Komisariatin e Policisë Nr. 5, Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponjat”, finalizoi me sukses operacionin policor “Gomeni”. Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, e cila, bazuar në provat e grumbulluara në kuadër të procedimit të regjistruar, ka caktuar masat e sigurimit për 14 personat nën hetim, konkretisht: Masën “Arrest në burg“ për 8 shtetas E. H., 28 vjeç, F. H., 21 vjeç, A. H., 27 vjeç, L. H., 32 vjeç, Q. H., 55 vjeç, G. H., 31 vjeç, P. H., 35 vjeç dhe D. H., 45 vjeç;  Masën “Arrest në shtëpi“ për 4 shtetas R. A., 38 vjeç, E. V., 43 vjeç, A. T., 28 vjeç dhe A. V., 25 vjeç; Masën “Detyrim për t’u paraqitur në Policinë Gjyqësore” për shtetasin F. H., 39 vjeç, si dhe për shtetasin A. H., 38 vjeç, i cili nuk është gjetur në banesë. Dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike të llojit cannabis sativa, gjatë vitit 2020, në zona pyjore afër fshatit Herraj, në malin e Gomenit dhe në zona të tjera të Njësisë Administrative Zallherr, Tiranë, të cilat janë evidentuar dhe asgjësuar në periudha të ndryshme kohore gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Kultivim i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim.

Qarku Korçë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”. Goditen dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. U kapën duke transportuar 7 emigrantë të paligjshëm, në pranga 2 shtetas. Strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit D. S., 30 vjeç, banues në Korçë, i cili u kap nga shërbimet e policisë, në afërsi të fshatit Gështenjas, Pogradec,  duke transportuar me mjetin tip “Volksëagen”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 200 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së; S. K., 18 vjeç, banues në Rrogozhinë, i cili u kap nga Policia në vendin e quajtur “Lumi i Tërhanit” në Pogradec, duke transportuar me mjetin tip “BMË”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit prej 150 euro secilit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Lezhë – Policia e Lezhës parandalon dhe godet një tentativë për trafikim të drogave të forta dhe armëve të zjarrit. Finalizohet operacioni policor i koduar “AKSI”. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Lezhë.  Sekuestrohen 2 kilogramë heroinë dhe 2 armë zjarri. Vihet në pranga 43-vjeçari. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta dhe armëve të zjarrit, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që po qarkullonte me mjet në aksin rrugor Shkodër-Lezhë dyshohej se po transportonte lëndë narkotike dhe armë zjarri, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “AKSI”. Në kuadër të këtij operacioni, në fshatin Balldre, shërbimet e Policisë së DVP Lezhë, kanë identifikuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë të mundur ndalimin e tij. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, gjatë kontrollit të imtësishëm të automjetit tip “Renault” me drejtues shtetasin G. D., në bagazhin e modifikuar të këtij mjeti kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë me peshë 2 kg dhe 2 armë zjarri kallashnikov. Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 43 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Elbasan – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Vihet në pranga një 33-vjeçar, pasi u kap në flagrancë duke transportuar 12 shtetas të huaj nga vendet e treta. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave të hartuar nga DVP Elbasan, për të  parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas po transportonte nga Korça disa shtetas nga vendet e treta, me qëllim dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit 100€ për person, kapën dhe arrestuan shtetasin E. Ç., 33  vjeç, banues në Vlorë.  Arrestim i tij u bë pasi në aksin rrugor Librazhd-Elbasan u kap nga shërbimet e Policisë duke transportuar me mjetin e tij 12  shtetas të huaj. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprën  penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Elbasan – Në fshatin Shirgjan, Elbasan, në datën 31.10.2020, gjatë natës është vjedhur me thyerje banesa e shtetasit A. Ll., 34 vjeç, ku autorët ende të paidentifikuar kanë vjedhur një sasi të konsiderueshme në paund. Në momentin që ka ndodhur vjedhja nuk ka pasur asnjë person në banesë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Tiranë – Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Kapet dhe arrestohet një 41-vjeçar i shpallur në kërkim, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Operacioni nga Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Interpol Tirana. Nga Seksioni i Kërkimit në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, në Tiranë, u kap dhe u ndalua shtetasi në kërkim ndërkombëtar Kristian Sula alias Bledar Gaçi, 41 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Torinos, Itali, e ka dënuar me 9 vjet, 4 muaj e 7 ditë burg, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafik i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Tiranë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, operacioni policor i koduar “Stacioni i fundit”. Sekuestrohen dhjetëra doza me lëndë narkotike kokainë, një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa, shuma të ndryshme parash, 2 peshore elektronike dhe 4 aparate celular. Vihet në pranga poseduesi dhe shpërndarësi i lëndës narkotike. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave në doza të vogla, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Stacioni i fundit”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 47 vjeç, banues në Tiranë, poseduesi i lëndës narkotike. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve janë siguruar informacione në rrugë operative se në banesën e tij në rrugën “Aleksandër Moisiu” posedonte lëndë narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve është ushtruar kontroll fizik ndaj tij dhe në banesë, ku Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 58 gramë lëndë narkotike kokainë, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, një sasi me lëndë të dyshuar cannabis sativa, shuma të ndryshme parash, 2 peshore dhe 4 aparate celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.

Durrës – Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, procedohen penalisht 3 shtetas dhe ndalohet një tjetër i shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 19 vjeç dhe proceduan penalisht shtetasit E. C. dhe Sh. M., 16 vjeç, banues në Sukth, Durrës, pasi dyshohet se në Sukth, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur 23 matës uji. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasja M. K., 39 vjeçe, pronare në një pikë grumbullimi të hekurave ku u gjendën sendet e vjedhura. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim E. Sh., 27 vjeç, banues në Durrës, pasi më datë 31.10.2020 dyshohet se ka vjedhur disa sende shtëpiake në banesën e shtetasit P. D. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin R. R., 25 vjeç, banues në Durrës, pasi, në lagjen nr. 11, Durrës, duke drejtuar mjetin tip “Audi”, ka aksidentuar biçiklistin me iniciale N. K., 67 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 202 shtetas, nga këta: 53 janë të arrestuar, 6 janë ndaluar dhe 143 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 6 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 11 raste, në të gjithë territorin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 31 raste, konkretisht: 11 raste të “Kanosja”, 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 12 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja” mbetur në tentativë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, në të gjithë territorin, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 21 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 24 raste, 6 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 18 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 10 raste të falsifikimit të dokumenteve, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 4 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, me dy autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Në fushën e ndërtimit pa leje janë evidentuar 16 raste dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, me dy autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Heqja e paligjshme e lirisë”, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Ngacmimi seksual”, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Vetëgjyqësia”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të shkatërrimit të pronës, me 15 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar 3 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, janë evidentuar 20 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 29 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 14 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë evidentuar dhe proceduar 15 shtetas që drejtonin automjetin pa u pajisur me leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.