Tiranë – Arrestohen në flagrancë 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale, dy prej tyre të shpallur në kërkim

Arrestohen në flagrancë 9 shtetas, për vepra të ndryshme penale, dy prej tyre të shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve I. Gj., 19 vjeç, S. Sh., 36 vjeç, A. Q., 43 vjeçe dhe A. T., 28 vjeçe, pasi në rrugën “Artan Lenja”, në ambientet e një hoteli, gjatë kontrollit fizik të ushtruar, iu gjetën doza me lëndë të dyshuar kokainë dhe doza me lëndë të dyshuar kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Nga hetimet ka rezultuar se një nga personat që iu kishte sjellë lëndën narkotike ishte shtetasi I. Gj.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. H., 36 vjeç, pasi në rrugën “Myslym Shyri”, ka tentuar të vjedhë në një dyqan, duke e kërcënuar me një mjet lodër (pistoletë çakmak), shitësin M. K., të cilit i ka kërkuar një shumë lekësh.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit të mitur me iniciale M. K., pasi në rrugën “Besëlidhja”, në dyqanin e celularëve të shtetasit A. P., ka vjedhur 15 telefona celular të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në vijim të punës për personat e shpallur në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit E. Z., 34 vjeç, pasi Gjykata e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit I. L., 26 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit B. K., 34 vjeç, pasi në rrugën “Konferenca e Pezës”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse dhe në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.