Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditen dy raste të tjera të veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. U kapën duke transportuar 25 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 5 shtetas. Njëri prej të arrestuarve ishte shpallur në kërkim dy herë më parë nga Policia, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Sektorin e Policisë Rrugore dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur dy raste të tjera të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilëve u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve S. L., 20 vjeç; S. Y., 20 vjeç; E. D., 22 vjeç dhe F. F., 21 vjeç, banues në fshatin Burizanë, Krujë, të cilët janë kapur në dalje të qytetit të Maliqit, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetet tip “Range Rover” dhe “Benz”, 21 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 500 euro për person, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Shtetasi S. L. ka rezultuar person i shpallur në kërkim më parë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve kryer në bashkëpunim” në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 05.08.2020, në unazën e qytetit të Pogradecit, ku në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë (të arrestuar) po transportonin 3 emigrantë të paligjshëm, si edhe për ngjarjen e ndodhur më datë 11.09.2020, ku 20-vjeçari, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në fshatin Cangonj, Devoll, pasi kanë konstatuar se ishin vënë në ndjekje nga Policia, kanë braktisur mjetin tip “Volksëagen” brenda të cilit u gjetën 14 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Gjithashtu është arrestuar në flagrancë edhe shtetasi A. V., 20 vjeç, banues në fshatin Kamenicë, Korçë, pasi u kap në dalje të qytetit të Pogradecit, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, 4 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Finalizohet me sukses operacioni i koduar “Navigatori”. Arrestohet në flagrancë një 47-vjeçar, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”. Zbardhen dhe dokumentohen 9 vjedhje të ndodhura kryesisht në zonën e plazhit. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve dhe zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, shërbimet në Stacionin e Policisë Plazh, pas provave të siguruara nga puna hetimore, finalizuan operacionin e koduar “Navigatori”. Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë shtetasi A. Q., 47 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi më datë 29.09.2020, gjatë natës, në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, ka thyer xhamin e automjetit tip “Benz”, në pronësi të shtetasit E. K., ku ka vjedhur disa sende personale. Gjithashtu ka vjedhur pasqyrat e një mjeti në pronësi të shtetasit M. M. Ky shtetas dyshohet se është autor i 7 vjedhjeve të tjera të ndodhura gjatë muajit shtator në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës. Autori ka thyer xhamat e mjeteve I. G., E. T., M. P., M. C., F. A., Xh. R. dhe ka vjedhur navigator, pasqyra ose sende personale. Gjithashtu ky shtetas dyshohet se më datë 22.09.2020, gjatë natës, në lagjen nr. 13, Durrës, ka thyer xhamin e një automjeti në pronësi të një institucioni shtetëror, ku ka marrë një palë çelësa. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan çelësa egzagonal që shërbenin për zbërthimin e navigatorëve dhe pasqyrave të mjeteve, pasqyrat e vjedhura të mjeteve dhe sende të tjera që shërbenin për kryerjen e vjedhjeve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.
Tiranë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, operacioni policor i koduar “Collaboration 2”. Vihet në pranga poseduesi dhe shpërndarësi i lëndës narkotike. Sekuestrohen një sasi dozash me lëndë narkotike cannabis sativa, 1 automjet dhe 1 aparat celular. Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme të zhvilluara nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave në doza të vogla, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Collaboration 2”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. D., 32 vjeç, banues në Tiranë, poseduesi i lëndës narkotike. Nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve janë siguruar informacione në rrugë operative se në një banesë në rrugën “Bill Klinton”, kishte një sasi lënde narkotike të llojit kanabis dhe personat që e dispononin ua shisnin shpërndarësve sipas porosive që bënin. Mbi bazën e këtyre informacioneve, nga ana e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në rrugën “Bill Klinton”, është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit D. D., ku Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 4 kg lëndë narkotike të dyshuar kanabis, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, 1 aparat celular dhe një automjet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Tiranë – Evidentohen dhe goditen 2 raste të zhvillimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Vihen në pranga 3 shtetas që ushtronin këtë aktivitet, si dhe procedohet penalisht një shtetas tjetër. Policia e Tiranës, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative se në dy lokale zhvillohej veprimtari e paligjshme në fushën e lojërave të fatit, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në ambientet e këtyre lokaleve. Si rezultat i kontrollove, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. D., 36 vjeç, pasi në lokalin e tij, në një kompjuter të ndezur është i është gjetur një faqe interneti e cila dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit, në mënyrë të paligjshme. Ndërkohë, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve I. G., 53 vjeç dhe R. D., 23 vjeç, pasi janë kapur në flagrancë duke luajtur lotari sportive, nëpërmjet telefonave të tyre. Gjithashtu u procedua penalisht shtetasi K. H., 23 vjeç, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me shtetasit e mësipërm për të ushtruar këtë veprimtari të jashtëligjshme. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme parash të përfituara nga veprimtari e tyre e jashtëligjshme, 4 aparate celular dhe njësia kompjuterike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Durrës/Informacion paraprak
Më datë 01.10.2020, rreth orës 02:30, në autostradën Tiranë-Durrës, në Maminas, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një resorti . Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me mjete të tjera” dhe “Armëmbajtje pa leje”.
Durrës – U konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, arrestohet në flagrancë një 35-vjeçar i shpallur në kërkim. Shërbimet e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë, në kuadër të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë dhe si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave në kërkim, arrestuan në flagrancë shtetasin H. Sh., 35 vjeç, banues në Shijak, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetin tip “Audi”, në gjendje të dehur, në masën 0.61 mg/l. Pas kontrollit në sistemin TIMS ka rezultuar se ky shtetas ishte i shpallur në kërkim policor, sepse më datë 10.09.2020, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e tij në Shijak është konstatuar se ushtronte aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar, 3 janë ndaluar dhe 66 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 6 raste të “Kanosja”, 2 në Tiranë, 1 në Korçë, 2 në Fier dhe 1 në Vlorë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Berat; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, 1 në Korçë, 1 në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 5 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 1 në Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 3 në Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë, 2 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 3 raste të ndërtimit pa leje, 1 në Tiranë, 1 në Gjirokastër dhe 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të falsifikimit të dokumenteve, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 rast i mashtrimit, 1 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 1 në Shkodër, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimi të vulave, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Është evidentuar 1 rast i falsifikimit monedhave, në Gjirokastër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, 1 në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 në Shkodër, 1 në Vlorë dhe 1 në Korcë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i pushtim toke, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Vetëgjyqësia”, në Shkodër, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.
Janë proceduar 2 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Në të gjithë vendin janë evidentuar 5 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 3 shtetas që drejtonin mjetet ne gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë.
Janë evidentuar dhe proceduar 9 shtetas që drejtonin mjetet pa leje drejtimi, 4 në Tiranë, 3 në Shkodër, 1 në Fier dhe 1 në Dibër.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.