Në kuadër të tij, goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Transportuan 25 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga dy shtetas dhe shpallet në kërkim një tjetër.
Nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare, Komisariatin e Policisë Devoll dhe Komisariatin e Policisë nr. 3, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, është goditur një tjetër rast i aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. K., 19 vjeç, banues në Shkodër, u bë ndalimi me urdhër të Prokurorisë i shtetasit L. B., 26 vjeç, si edhe u shpall në kërkim shtetasi E. Sh., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Shtetasi A. K., është kapur nga punonjësit e Komisariatit të Policisë Devoll, në rrugën nacionale Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Cangonj, duke transportuar me mjetin furgon tip “Benz” 25 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt fitimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Në vijim të veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se edhe dy shtetasit e tjerë janë të implikuar në këtë ngjarje si bashkëpunëtorë të 19-vjeçarit A. K.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve, kryer në bashkëpunim”.