Korçë
Vijojnë takimet sensibilizuese në shkolla, për rritjen e sigurisë së fëmijëve dhe të rinjve.
Në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, për zbatimin e programit kombëtar “Siguria e të rinjve”, shërbimet e Policisë së Korçë po vijojnë ciklin e takimeve informuese dhe edukative me nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme të qarkut.
Takimet e radhës u zhvilluan nga ndihmësspecialistët e DVP Korçë për edukimin në shkolla, në bashkëpunim me stafin pedagogjik dhe oficerët e sigurisë, në shkollën 9-vjeçare “Stavri Toçi”, në fshatin Ravonik, Korçë, dhe në shkollën jopublike “Nehemia”, në fshatin Buçimas, Pogradec, ku morën pjesë nxënësit e klasave të 6-ta.
 Gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, u trajtuan tema me rëndësi të veçantë për moshën e tyre, si:
✔️Dhuna dhe format e saj;
✔️Fenomeni i bullizmit, shkaqet dhe pasojat;
✔️Rreziqet dhe siguria në përdorimin e internetit;
✔️Rëndësia e respektit dhe komunikimit pa dhunë.
Për ta bërë takimin më të kuptueshëm dhe tërheqës, punonjësit e Policisë prezantuan materiale vizuale, video dhe foto ilustruese, ndërsa nxënësve iu shpërndanë fletëpalosje informuese mbi sigurinë dhe mbrojtjen nga bullizmi.
Këto takime kanë si synim edukimin e brezit të ri me vlera qytetare, ndërgjegjësimin për rreziqet që mund t’i hasin dhe fuqizimin e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit, shkollës dhe familjes, për një komunitet më të sigurt.