Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ilir Proda: “Policia e Shtetit është e baraslarguar nga subjektet politike, e fokusuar te zbatimi i ligjit dhe tërësisht e angazhuar për të garantuar rendin dhe sigurinë publike përgjatë gjithë procesit zgjedhor.”
Mesditën e sotme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit mori pjesë në një takim të organizuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve z. Ilirjan Celibashi. Në takimin katërpalësh ishin të pranishëm dhe Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela dhe Drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani.
Krerët e institucioneve diskutuan për forcimin e bashkëpunimit dhe ecurinë e deritanishme të veprimeve ligjore që kanë për detyrë këto institucione, si dhe shprehën gatishmërinë për të punuar bashkërisht për mbarëvajtjen e procesit.
Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda i njohu krerët e institucioneve, me veprimet ligjore të Policisë në terren, në luftë kundër krimeve elektorale, me masat e ndërmarra për parandalimin e konflikteve të mundshme, si dhe me veprimet konkrete për trajtimin me shpejtësi të tyre.
Drejtori i Përgjithshëm garantoi se Policia e Shtetit është e vendosur për të bashkëpunuar me këto institucione dhe me çdo agjenci ligjzbatuese tjetër, në interes të garantimin të sundimit të ligjit.
Drejtor Proda: “Kam kërkuar nga të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit rritje të vigjilencës, kujdes të shtuar në postimet e tyre në rrjetet sociale dhe qendrim larg çdo nuance politike. Shërbimet e Policisë janë duke punuar 24/7 në luftë kundër paligjshmërive, si dhe për të garantuar një ambient sa më të sigurtë për qytetarët”.