Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Vlorë
Në kuadër të planit operacional policor të koduar “Plazh i lirë”, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë, ka vijuar kontrollet në vijën bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike në plazhe.
Lirohet hapësira në vijën bregdetare në Karaburun.
Procedohen penalisht 3 administratorë subjektesh, të cilët zunë hapësirë rreth 8000 m², në zonë të mbrojtur, në vendet e quajtura “Zhanpovel” dhe “Shën Vasil”, për stacion plazhi, bar dhe restorant.
Në subjektet e tyre kishte punonjës të pasiguruar, si dhe ofroheshin shërbim dhe produkte, pa kupona tatimorë.
Sekuestrohen 300 shezlongë.
Në kuadër të planit operacional për kontrollin e vijës bregdetare dhe lirimin e hapësirave bregdetare të zaptuara në mënyrë të kundërligjshme nga subjekte të ndryshme që ndërtojnë pa leje dhe vendosin çadra dhe shezlongë, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Vlorë referoi materialet në Prokurori ku nisi procedimin penal për shtetasit K. B., E. Ç. dhe V. B.
Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me autoritetet e Inspektorateve Ndërtimore, Drejtorinë e Tatimeve, AKB-në dhe Policinë Bashkiake Vlorë, kanë konstatuar në hapësirën e zaptuar për stacion plazhi, në mënyrë të paligjshme nga këta 3 subjekte, një strukturë druri rreth 500 m², të ndërtuar pa leje, me fushë veprimtarie bar-restorant, si dhe 300 shezlongë të vendosur, të cil՞t janë hequr, duke liruar hapësirën publike në Karaburun.
Gjithashtu, nga verifikimet e kryera ka rezultuar se në këto subjekte kishte punonjës të pasiguruar, si dhe ofroheshin shërbim dhe produkte, pa lëshuar kupona tatimorë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i Lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë.
DVP Korçë
Dyshohet se shfrytëzonte një 16-vjeçare, për prostitucion, vihet në pranga 26-vjeçari.
Vihet në pranga dhe një shtetas që dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen e mitur.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për një rast të shfrytëzimit të një shtetaseje të mitur, për prostitucion, arrestuan shtetasit:
S. H., 41 vjeç, banues në fshatin Leminot, Maliq, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”. Gjatë veprimeve të kryera në prezencë të psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, 16-vjeçarja ka kallëzuar se në muajin qershor të vitit 2024, ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të dhe i ka dhënë para;
M. B., 26 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, pasi nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, dyshohet se e shfrytëzonte 16-vjeçaren, për prostitucion.
Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Durrës
Iu merrnin para qytetarëve që parkonin automjetet në 2 hapësira publike pa pagesë, në rrugën “Taulantia”, procedohen penalisht 3 shtetas.
Si rezultat i intensifikimit gjatë sezonit veror, të punës në terren dhe kontrolleve në subjekte ekonomike të ndryshme, me qëllim parandalimin, konstatimin dhe goditjen e paligjshmërive ekonomiko-financiare, specialistët për hetimin e krimeve në këtë fushë konstatuan se 3 shtetas shfrytëzonin në kundërshtim me ligjin, si 2 vendparkime automjetesh, hapësira publike në rrugën “Taulantia”.
Për rastet u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit M. V., 34 vjeç, A. V., 39 vjeç, vëllezër, si dhe për shtetasin R. H., 24 vjeç, për veprat penale “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuptonit tatimor” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
Kontrollet dhe bashkëpunimi me qytetarët, për goditjen e kësaj paligjshmërie, do të vijojnë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 79 shtetas, konkretisht: 21 shtetas janë vënë në pranga, 50 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste. Për 10 raste të kultivimit të bimëve narkotike, autorët janë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera në fushën e narkotikëve, janë vënë në pranga 2 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 9 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste. 1 shtetas është vënë në pranga, 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 7 raste të krimeve ekonomike, njëri prej tyre me autor/ë të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 7 raste, 2 prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhje të tjera.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 13 raste. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 14 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të krimeve kibernetike, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 2 shtetas të vënë në pranga;
-2 raste të veprës penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 2 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-1 rast i veprës penale “Moskallëzimi i krimit”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”, “Dhunimi i banesës” , “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
2 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, janë kapur.
Kanë ndodhur 4 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 12 shtetas të dëmtuar.
Janë evidentuar 6 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.