Durrës – Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Multifunksional”

Goditet një rast i përshtatjes së lokaleve për përdorim të lëndëve narkotike dhe për gjenerim të kriptomonedhave (Bitcoin).

Arrestohet në flagrancë 31-vjeçari që mbante në lokalin në pronësi të tij, edhe sasi kafeje të dyshuar të kontrabanduar.

Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike marijuanë dhe kokainë, pajisje që gjenerojnë kriptomonedha (Bitcoin), si dhe sasi kafeje që dyshohet e kontrabanduar.

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe të gjenerimit të kundërligjshëm të kriptomonedhave, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, se një shtetas kishte përshtatur lokalin në pronësi të tij, për përdorim të lëndëve narkotike dhe për gjenerim të monedhave virtuale (Bitcoin), organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Multifunksional”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:

-A. K., 31 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, si dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., në lagjen nr. 4 Durrës, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, rreth 260 gr lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, 18 pajisje që shërbejnë për gjenerimin e kundërligjshëm të kriptomonedhave, sasi kafeje të dyshuar të kontrabanduar, një sasi të vogël lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 3 peshore elektronike dhe një shkop bejsbolli.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.