Vlorë – Vodhi në një automjet në përdorim nga dy turistë italianë, vihet në pranga 39-vjeçari

I arrestuari, me precedent të mëparshëm për të njëjtin krim, i dyshuar dhe për kryerjen e 2 vjedhjeve të tjera, në qytetin e Vlorës.

Sekuestrohen veshje dhe mjete të cilat dyshohet se autori i përdorte për kryerjen e vjedhjeve dhe një aparat neuroparalizues (elektroshok).

Vihet në pranga edhe babai i 39-vjeçarit, pasi të dy së bashku, kundërshtuan dhe tentuan të pengonin punonjësit e Policisë, në kryerjen e detyrës.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, pas marrjes së njoftimit se një shtetas, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, kishte thyer xhamin e një automjeti të parkuar, në përdorim nga dy turistë italianë, dhe kishte vjedhur një çantë me sende personale dhe një shumë parash, kanë kryer të gjitha veprimet hetimore në vendngjarje dhe kanë shoqëruar disa shtetas të cilët mund të kishin dijeni për ngjarjen.

Bazuar në rezultatet e hetimit dhe në provat e siguruara, është finalizuar operacioni policor i koduar “Storm 19”, si rezultat i të cilit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i autorit të dyshuar të vjedhjes, shtetasit E. M., 39 vjeç, banues në Vlorë.

39-vjeçari dyshohet se është dhe autor i 2 vjedhjeve të tjera, të kryera gjatë kësaj jave, në qytetin e Vlorës, konkretisht i vjedhjes së disa sendeve personale të një turisti të huaj, në automjetin e tij, në Zvërnec, si dhe i vjedhjes së një kablloje dhe një matësi elektrik, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me të cilin lëvizte shtetasi E. M., në momentin e ndalimit nga Policia, dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan veshje dhe mjete të cilat dyshohet se ai i përdorte për kryerjen e vjedhjeve, si dhe një aparat neuroparalizues (elektroshok).

Në vijim të veprimeve procedurale është arrestuar në flagrancë shtetasi L. M., 63 vjeç, babai i shtetasit E. M., pasi të dy së bashku, kanë kundërshtuar me forcë punonjësit e Policisë dhe i kanë penguar ata në kryerjen e detyrës.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë është e angazhuar maksimalisht për të siguruar një mjedis të sigurtë dhe të qetë për të gjithë qytetarët dhe turistët e huaj, gjatë këtij sezoni turistik, dhe i fton ata, që të kallëzojnë çdo paligjshmëri që hasin.