Vlorë – Vihet në pranga një person i përfshirë në kontrabandim në drejtim të Italisë, të migrantëve nga vendet e treta, në grykëderdhjen e lumit Vjosë.

Në vijim të operacionit të përbashkët të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kontrabandim në drejtim të Italisë, të migrantëve nga vendet e treta, në grykëderdhjen e lumit Vjosë.
Vihet në pranga një nga autorët e përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për hetimin e Trafiqeve dhe Narkotiëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe DVP Tiranë, arrestuan në flagrancë shtetasin F. D., 63 vjeç, banues në Tiranë.
Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në ambientet e hotelit në pronësi të tij, migrantët e evakuuar gjatë operacionit të djeshëm.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e hotelit janë gjetur të strehuar dhe 9 klandestinë të tjerë.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin dhe gjetjen e personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet iu referuar Prokurorisë, për veprën penale ”Dhënie Ndihmë për Kalim të Paligjshëm të Kufirit” e kryer ne bashkepunim.