Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Storm 9”.
I morën një shumë parash një shtetasi, duke e dhunuar fizikisht, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore nga Policia, identifikohen 3 autorët e dyshuar.
Kapet dhe vihet në pranga njëri prej tyre, punohet për kapjen e 2 të tjerëve.
Sekuestrohen automjeti i dyshuar i përdorur nga autorët, gjatë vjedhjes, dhe 1 celular.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë ligjore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Storm 9”, për zbardhjen e një rasti të vjedhjes me dhunë.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit, u identifikuan 3 autorët e dyshuar të rastit, shtetasit M. M., 19 vjeç, banues në Vlorë, A. K., 19 vjeç dhe I. A., 19 vjeç, të dy banues në fshatin Kotë. Shërbimet e Policisë kanë arrestuar shtetasin M. M. dhe po punojnë për kapjen e 2 shtetasve të tjerë.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë marrë me dhunë një shumë parash një 18-vjeçari, duke e dhunuar fizikisht.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.