Tiranë/Lirohet një hapësirë e zënë në mënyrë të kundërligjshme

Tiranë

Lirohet një hapësirë e zënë në mënyrë të kundërligjshme, e kthyer në vendparkim automjetesh, në Astir.

Procedohet penalisht 54-vjeçari që kishte zënë hapësirën, si dhe tërhiqen automjetet e parkuara.

Si rezultat i patrullimeve dhe i verifikimeve të kryera sistematikisht dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Bashkiake dhe ato të IMT-së, konstatuan se një hapësirë publike, në rrugën “Teodor Keko”, ishte zënë në kundërshtim me ligjin dhe ishte kthyer në vendparkim automjetesh.

Në përfundim të veprimeve hetimore për rastin, nisi procedimi në gjendje të lirë për autorin e dyshuar të kësaj paligjshmërie, shtetasin F. M., 54 vjeç, për veprën penale “Pushtimi i tokës”.

Policia e Tiranës vijon kontrollet në terren dhe thekson se nuk do të tolerohet asnjë rast i cenimit të hapësirave publike. Në këtë kuadër, ftojmë qytetarët që të denoncojnë çdo shkelje të tillë, në numrin 112!

#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit✅
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve