Tiranë/Goditen 3 raste të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fati i lojërave”.
Vihen në pranga 3 shtetas që vinin baste sportive, nëpërmjet aparateve celulare.
Sekuestrohen 3 aparatet celulare që përdornin këta shtetas.
Në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, bazuar dhe në informacione të marra në rrugë operative, strukturat e DVP Tiranë kanë organizuar kontrolle në lokale dhe ambiente të ndryshme, të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe goditur 2 raste të kësaj veprimtarie.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 është arrestuar në flagrancë shtetasi A. K., 46 vjeç, banues në Tiranë, pasi është kapur në flagrancë në ambientet e një subjekti bar-kafe, në rrugën “Petro Nini Luarasi”, duke vënë baste sportive nëpërmjet aparatit celular.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 është arrestuar në flagrancë shtetasi L. P., 19 vjeç, banues në Babrru, pasi u kap në flagrancë duke vënë baste sportive, nëpërmjet aparatit celular, në ambientet e lokalit të tij, në Babrru, të cilin e kishte vënë në dispozicion për organizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është arrestuar në flagrancë shtetasi A. Ç., 18 vjeç, pasi është kapur në flagrancë në ambientet e një subjekti bar-kafe, në rrugën “Mikel Maruli”, duke vënë baste sportive nëpërmjet aparatit celular.
3 aparatet celulare që përdornin këta shtetas janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.