Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 27”

Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 27”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve.

Operacioni, nga Komisariati i Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.

Transportonte 2 emigrantë të paligjshëm, shpallet në kërkim 29-vjeçari.

Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, pasi kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë zhvillimit të operacionit.

Procedohen penalisht edhe 2 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas transportonte emigrantë, nga Korça në drejtim të Tiranës, me destinacion pikat kufitare, me qëllim kalimin në vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 27”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasi E. P.(A)., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”.

Ky shtetas, ditën e djeshme, po transportonte me një automjet të marrë me qira, 2 emigrantë të paligjshëm, kundrejt shpërblimit monetar nga 600 deri në 1000 euro për person. Gjatë ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Pallatet e verdha”, ky shtetas ka braktisur mjetin dhe është larguar.

Gjithashtu, është arrestuar në flagrancë shtetasi R. Ç., 24 vjeç, si dhe janë proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasit R. Ç., 28 vjeç dhe B. Gj., 37 vjeç. Gjatë zhvillimit të operacionit, këta shtetas kanë prishur rendin dhe qetësinë publike dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht edhe 2 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Vijon puna për kapjen e drejtuesit të mjetit, shtetasit E. P.(A).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.