Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Damage”

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Damage”.

Operacioni, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Finaciare në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor.

Vihen në pranga 7 shtetas, shpallen në kërkim 6 të tjerë.

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Damage”.

Si rezultat i operacionit u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

– B. R., 54 vjeç, A. R., 25 vjeç, B. G., 33 vjeç, A. H., 32 vjeç, Xh. S., 24 vjeç, N. M., 34 vjeç dhe A. A. 40 vjeç.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim shtetasit M. R., 52 vjeç, M. G., 60 vjeç, M. K., E. M., 29 vjeç, S. S., 34 vjeç dhe A. D., 29 vjeç.

Këta shtetas, dyshohet se përmes mashtrimit, kanë krijuar dhe menaxhuar subjekte tregtare fiktive, nëpërmjet të cilave kanë qarkulluar vlera të konsiderueshme parash, të padeklaruara në organet tatimore, duke i shkaktuar kështu shtetit shqiptar, një dëm financiar prej 3 milionë eurosh.