Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Access”

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 4 operacioni policor i koduar “Access”.

Vodhën një kasafortë me sende me vlerë në një banesë në rrugën “Zihni Sako”, identifikohen, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Të arrestuarit dyshohet se kanë kryer vjedhje edhe në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë marrë sende me vlerë dhe shuma parash.

Zbulohet një ambient i kamufluar si biznes, ku dyshohet se njëri prej të arrestuarve modifikonte çelësa të ndryshëm për hapjen e bravave të apartamenteve.

Sekuestrohen kasaforta, sende me vlerë, 2 automjete dhe 1 motomjet me vlerë rreth 30 000 euro.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë se në banesën e shtetasit R. O. ishte vjedhur një kasafortë me sende me vlerë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Access”, për zbardhjen dhe dokumentimin e rastit.

Si rezultat i operacionit, u identifikuan, u kapën në flagrancë menjëherë pas kryerjes së vjedhjes dhe u vunë në pranga shtetasit A. H., 45 vjeç dhe A. G., 48 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas, më datë 03.04.2026, u kapën në flagrancë menjëherë pasi kishin vjedhur një kasafortë, brenda së cilës kishte sende me vlerë dhe 1 armë zjarri me municion, e cila posedohej me leje nga pronari i banesës, në rrugën “Zihni Sako”.

Gjatë kontrollit në ambientin e përshtatur si biznes nga shtetasi A. G., u konstatua se ky shtetas modifikonte çelësa të ndryshëm për të mundësuar hapjen e bravave të apartamenteve.

Gjithashtu, këta shtetas dyshohet se kanë kryer vjedhje të shumave të parave dhe sendeve me vlerë në një banesë në Durrës dhe në territorin e Komisariatit të Policisë Nr. 2.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.