Vijon puna nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Arrestohen në flagrancë 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. Gj., 22 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasin D. H., 29 vjeç, pasi në rrugën “Sefer Shima”, kanë vjedhur me thyerje banesën e shtetasit Dh. K., ku kanë marrë bizhuteri dhe sende me vlerë rreth 100.000 lekë.
Po nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë ekzekutimi i urdhrit të prokurorit për shtetasin E. M. alias A. M., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka nxjerrë urdhrin e ndalimit për veprën penale “Mashtrimi”.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Xh. L., 33 vjeç, pasi në banesë, në mënyrë të përsëritur, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, të cilës iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. N., 19 vjeç, si dhe u referuan materialet për shtetasin e mitur me iniciale F. T., 15 vjeç, pasi në Unazë të Re, kanë tentuar të vjedhin biçikletën e shtetasit Rr. H.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
F. E., 32 vjeç dhe E. Z., 34 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.