Raporti i ngjarjeve, 7 prill 2026

Vlorë/Informacion paraprak

Rreth orës 13:20, në lagjen “Pavarësia”, një kafshë shtëpiake (qen i racës Pitbull) ka sulmuar një fëmijë 4 vjeç, i cili ishte i shoqëruar nga familjarët e tij.

Fëmija u dërgua në spital për mjekim dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Qarku Durrës

Specialistët e qarkullimit rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. V., 51 vjeç, banues në Durrës, pasi është kapur duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 15-vjeçar, pasi është kapur duke drejtuar automjet, pa leje drejtimi.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës:
-arrestuan në flagrancë shtetasin G. B., 41 vjeç, banues në Sektor Rinia, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. F., 29 vjeç, si dhe shpallën në kërkim shtetasit J. Sh., 24 vjeç dhe Gj. P., 25 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, 2 vëllezër, të cilët janë dëmtuar lehtë. Punohet për kapjen e 2 shtetasve në kërkim dhe për dokumentimin e rrethanave të rastit;
-shpallën në kërkim shtetasin R. H., 26 vjeç, banues në Durrës, pasi ka vjedhur produkte në një market në lagjen nr. 15. Punohet për kapjen e tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. B., 48 vjeç, banues në Ishëm, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj xhaxhait të tij.
Gjithashtu, shpallën në kërkim shtetasin E. K., 63 vjeç, banues në Durrës, pasi gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur me grushte dhe sende të forta një 51-vjeçar, i cili është dëmtuar lehtë.

Specialistët e DVKM Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. B., 29 vjeç, banues në Tiranë, pasi motomjeti që kishte ardhur në emër të tij, në Port Durrës, nga verifikimet rezultoi i vjedhur në vitin 2025 dhe i shpallur në kërkim nga Interpol Mançester.

Në lidhje me informacionin e dhënë dje, për largimin nga banesa, të shtetases E. T. alias E. G., 32 vjeçe, bëjmë me dije se kjo shtetase është kthyer në banesë, në gjendje të mirë shëndetësore. Ajo deklaroi se ishte larguar me dëshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. H., 35 vjeç dhe A. Rr., 32 vjeç, pasi gjatë kontrolleve fizike, iu gjetën sasi lëndësh narkotike, përkatësisht Cannabis Sativa dhe Kokainë;
-F. D., 28 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet sasi lënde narkotike Cannabis Sativa;
-L. Xh., 19 vjeç, K. B., 25 vjeç, I. S., 31 vjeç dhe O. S., 24 vjeç, pasi 19-vjeçari posedonte sasi lënde narkotike Kokainë, ndërsa 3 të procedurarit e tjerë dyshohet se kanë patur dijeni për këtë dhe nuk kanë kallëzuar.
Lëndët narkotike për të trija rastet u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Cërrik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. S., për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 61 vjeç, pasi dyshohet se si pasojë e zjarrit që ka ndezur për të djegur barishte, është djegur një sipërfaqe toke në fshatin Byzegare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Më datë 06.04.2026, dyshohet se si pasojë e një shkëndije elektrike, ka rënë zjarr në një banesë (aktualisht të pabanuar) në pronësi të shtetasit Xh. M.. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. Materialet procedurale për rastin, iu referuan Prokurorisë, për vlerësim.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen e huaj, M. O., pasi dyshohet se ushtronte prostitucion, në një apartament të marrë me qira.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike shpallën në kërkim shtetasin H. M., pasi dyshohet se ka fyer shtetasen N. H., nëpërmjet komunikimeve në një platformë digjitale. Punohet për kapjen e shtetasit H. M..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-K. M., për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”;
-M. F., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur shtetasen Xh. M..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-arrestuan shtetasin E. P.(D.), 44 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij, si dhe se ka kanosur vëllanë e saj;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin G. C., pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj ish-të dashurës së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin L. K., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka kanosur shtetasen A. T.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-E. H, 22 vjeç, dyshohet me probleme të shëndetit mendor, pasi i ka vënë flakën banesës së tij. Si pasojë pati vetëm dëme materiale. 22-vjeçari u transportua në spital, për të marrë asistencën mjekësore të nevojshme;
-A. R, pasi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, për t’u identifikuar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin V. P., 38 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij, si dhe se e ka kanosur atë, për të mos kallëzuar;
-shpallën në kërkim shtetasin A. Sh, pasi dyshohet se ka vjedhur çantën e shtetasit Gj. P., me një shumë parash në të.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. P., pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, kushëririn e tij.

Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasit E. N., 34 vjeç dhe E. K., 30 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar automjete, në gjendje të dehur;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S. N., pasi me automjetin që drejtonte, ka përplasur këmbësorin, shtetasin U. G., 35 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën;
-shpallën në kërkim shtetasin D. D., 52 vjeç, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi motomjetin që drejtonte, dhe si pasojë motomjeti është rrëzuar. Nga aksidenti u dëmtua pasagjeri në motomjet, i cili është në kujdesin e mjekëve. Punohet për lokalizimin dhe kapjen e 52-vjeçarit, i cili u largua nga vendi i aksidentit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Penaliteti”, në vijim të punës hetimore dhe operacionale, për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të vjedhjeve.

Gjatë këtij muaji, kreu 6 vjedhje/tentativa për vjedhje, kapet 26-vjeçari.

I arrestuari, aktualisht me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për një vepër penale tjetër.

Si rezultat i veprimeve hetimore intensive të kryera menjëherë pas kallëzimeve të disa shtetasve/administratorëve të subjekteve, për vjedhje të pronës dhe pasurisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 finalizuan operacionin e koduar “Penaliteti”, gjatë të cilit u lokalizua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar i disa rasteve në këtë fushë, shtetasi A. H., 26 vjeç.

Nga hetimet dyshohet se 26-vjeçari, gjatë muajit prill 2026, ka vjedhur shuma parash dhe produkte, në 4 subjekte, si dhe ka tentuar të vjedhë në një banesë dhe në një subjekt. Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Vijon hetimi për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi A. H.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 41 vjeç, banues në fshatin Zhupan, pasi dyshohet se për motive të dobëta është konfliktuar me një shtetase dhe e ka kanosur atë, duke i hedhur në oborrin e banesës, disa fishekë arme zjarri. Fishekët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Divjakë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. F., 54 vjeç, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi, pa leje;
-S. L., 67 vjeç, pasi ka kanosur një 59-vjeçar, për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin Gj. Zh., 63 vjeç, banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 3, Pogradec, duke drejtuar automjetin, ka përplasur një 17-vjeçar, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi për veprën penale “Braktisja e kafshës të shoqërimit”, për shtetasin K. S., 53 vjeç, banues në fshatin Nicë, Pogradec, pasi qeni që ai mbante dyshohet se ka dalë nga rrethimi i banesës së tij dhe ka sulmuar në krah, shtetasen L. T., e cila po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Specialistët për Hetimin e Trafiqeve, në bazë të informacioneve të siguruara nga strukturat e AMP-së, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen e huaj, L. J., 36 vjeçe, dhe për shtetasin R. Gj., 25 vjeç, pasi 36-vjeçarja dyshohet se ushtronte prostitucion, ndërsa 25-vjeçari u kap duke përfituar nga kjo veprimtari. Më tej, ka nisur procedim penal dhe për shtetasin e huaj që dyshohet se shfrytëzonte 36-vjeçaren, për prostitucion, por për shkak të konfidencialitetit të hetimit, për momentin nuk jepen gjenealitetet e tij.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Xh. B., 31 vjeç, banues në Shëngjin, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët e qarkullimit rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-V. B., 30 vjeç, banues në fshatin Fushë Milot, pasi në aksin rrugor “Lezhë–Milot”, automjeti që drejtonte, është përplasur me automjetin që drejtonte shtetasi A. D. alias A. K., 33 vjeç. Si pasojë është dëmtuar pasagjerja në automjetin e 30-vjeçarit, shtetasja A. B., 65 vjeçe, e cila është jashtë rrezikut për jetën;
-M. V., 34 vjeç, banues në Lezhë, pasi në aksin rrugor “Shëngjin–Kune”, automjeti që drejtonte, është përplasur me motomjetin që drejtonte shtetasi E. C., 34 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar drejtuesi dhe pasagjeri në motomjet, shtetasi K. N., 33 vjeç, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 05.04.2026, për shpërthimin e një bombole gazi, në një biznes (byrektore), informojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen L. M., 54 vjeçe, administratore dhe punonjëse në këtë subjekt, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”.

Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. P., 20 vjeç, banues në fshatin Zejmen, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjatë patrullimeve në territorin e fshatit Tale, janë konstatuar pemë të dyshuara të prera në kundërshtim me ligjin. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, me qëllim vlerësimin juridik të rastit.

Më datë 06.04.2026, kallëzoi drejtoresha e shkollës 9-vjeçare në fshatin Malbardhë, Kurbin, se gjatë natës, në ambientet e shkollës, ishin vjedhur 8 kompjuterë. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin M.S., banues në fshatin Zall-Dardhë, pasi ka ndezur zjarr me qëllim djegien e disa barishteve dhe për pasojë, është djegur një sipërfaqe me bimësi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin S.S., 60 vjeç, banues në Burrel, pasi, për motive të dobëta, ka kanosur me fjalë vëllanë e tij, si dhe në ambientet e lokalit të këtij të fundit ka nxjerrë klientët jashtë, me pretendimin se prona është e tij.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin V. N., 48 vjeç, banues në fshatin Juban, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-S. K., 47 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në efektin e alkoolit;
-një 16-vjeçar, pasi u kap duke drejtuar automjet, pa leje drejtimi.
U referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në aksin rrugor “Shkodër-Mjedë”, automjeti me drejtues shtetasin A. D., banues në fshatin Vukatanë, është përplasur me kamionin me drejtues shtetasin I. B., banues në fshatin Mjedë. Si pasojë janë dëmtuar lehtë 2 pasagjerët në automjetin me drejtues shtetasin A. D..

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi mbrëmë, shtetasi A. V., 34 vjeç, dyshohet se është vetëdëmtuar me mjet prerës (brisk), në banesën e tij. Ai po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e para hetimore dhe deklarimet e familjarëve dyshohet se shtetasi A. V. vuan nga probleme të shëndetit mendor.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pasi dje, në fshatin Palvar, dyshohet se për shkak të një shkëndije elektrike ka rënë zjarr në magazinën në oborrin e banesës së shtetasit L. B., 58 vjeç. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin F. H., 49 vjeç, banues në Borsh, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasja M. M., 42 vjeçe, banuese në Sarandë, e cila pretendon se është përndjekur dhe dhunuar psikologjikisht nga ky shtetas, si dhe i është vjedhur telefoni celular.
Në lidhje me këtë ngjarje, është proceduar penalisht edhe shtetasi B. M., 66 vjeç, bashkëshorti i kallëzueses, i cili është konfliktuar fizikisht me shtetasin F. H., duke i shkaktuar dëmtime të lehta.

Po këta specialistë referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasin A. M., 19 vjeç, banues në Sarandë, pas kallëzimit të shtetasit G. P., 29 vjeç. Ky i fundit pretendon se më datë 05.04.2026, në vendin e quajtur “Eukalipti”, në Sarandë, është goditur me mjet prerës (thikë) nga shtetasi A. M., duke pësuar dëmtime.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për një 15-vjeçar, i cili u kap duke drejtuar automjet pa leje drejtimi, në aksin rrugor Kaninë–Vlorë.

Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme.

Vlorë/Informacion paraprak

Sot, rreth orës 03:00, në vendin e quajtur mbikalimi i Novoselës, në aksin rrugor në drejtim të fshatit Akërni, automjeti me drejtues shtetasin A. H., 24 vjeç, banues në Fier, është përfshirë në një aksident rrugor.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i mjetit A. H ka humbur jetën.

Grupi hetimor po kryen veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.