Divjakë
Kapet një 33-vjeçar i shpallur në kërkim, i dënuar me 4 vjet burgim, për kultivim të bimëve narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë bërë të mundur lokalizimin dhe kapjen e shtetasit në kërkim:
-D. S, 33 vjeç, banues në fshatin Çermë Sektor, Divjakë.
Ky shtetas është dënuar nga Gjykata e Korçës, me 4 vjet burgim, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të kryer 1 vit, 10 muaj e 4 ditë.
Veprimet e tjera procedurale për këtë shtetas u kryen nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec.
Vlorë/Kapen dhe vihen në pranga 2 shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
-Iu vodhi me forcë, bizhuteri floriri, shuma parash dhe celularë, 3 shtetaseve të huaja, gjatë 2 muajve të fundit, vihet në pranga 25-vjeçari.
-I dënuar me mbi 3 vjet bugim, për prodhim dhe shitje të narkotikëve, vihet në pranga 34-vjeçari.
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas të shpallur në kërkim, organizuan menjëherë punën për lokalizimin dhe kapjen e tij. Si rezultat i veprimeve të shpejta, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit në kërkim:
-M. A., 25 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas dyshohet se më datë 08.02.2026, në Lungomare, iu ka vjedhur me forcë, 2 shtetaseve kazake, 1 celular, 1 byzylyk floriri dhe 2700 euro, ndërsa më datë 04.03.2026, në lagjen “10 Korriku”, i ka vjedhur me forcë, një shtetaseje kazake, varësen e floririt, celularin dhe 4000 dollarë.
–
Specialistët e Stacionit të Policisë Selenicë, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, bënë të mundur kapjen dhe ndalimin e shtetasit K. D., 34 vjeç, banues në Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 3 vjet, 3 muaj e 28 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Korçë
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. T., 25 vjeç, banues në Korçë, pasi u kap në lagjen nr. 5, Korçë, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për shtetasin G. (M.) V., 78 vjeç, i cili u gjet i pajetë në banesën e tij, në fshatin Bulgarec, Korçë, bëjmë me dije se:
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, kreu një sërë veprimesh hetimore.
Nga këqyrja e trupit të pajetë rezultoi se kishte dëmtime në kokë.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën intensive për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Dëmtime të tjera me dashje” për shtetasit A. I., 36 vjeç; V. I., 39 vjeç; I. M., 60 vjeç; M. T., 43 vjeçe; L. K., 50 vjeçe; D. I., 40 vjeçe; banues në fshatin Pojan, Maliq. Këta shtetas dyshohet se për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. M., 18 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 4, u konstatua nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat” duke lëvizur me automjetin e tij, gjatë kontrollit të të cilit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e vogël me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i një hetimi 3-mujor, të kryer në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, shtetasen B. G., 40 vjeçe, si dhe proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Prostitucioni”, një 41-vjeçare.
Në ambientet e subjektit (qendër fizioterapeutike), në rrugën “Ismail Qemali”, në pronësi të shtetases B. G., 40 vjeçe, u konstatua se shfrytëzohej për prostitucion një 41-vjeçare.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë parash e përfituar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Gjirokastër
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin Sh. Zh., 24 vjeç, banues në fshatin Dhëmblan, Tepelenë, pasi dyshohet se iu ka shitur lëndë narkotike kanabis, shtetasve të mitur. Gjatë kontrollit në automjetin e të arrestuarit, shërbimet e Policisë i gjetën një sasi kanabisi, e cila u sekuestrua bashkë me automjetin dhe celularin e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin Sh. G., 53 vjeç, banues në fshatin Valare, pasi dyshohet se ka pushtuar një sipërfaqe toke në pronësi të shtetasit K. Ç..
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasen S. N., 35 vjeçe, banuese në Përmet, pasi dyshohet se ushtronte aktivitetin e paligjshëm të prostitucionit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. Ç., 62 vjeç, banues në Tiranë, dhe N. M., 42 vjeç, banues në Mamurras, pasi dyshohet se kanë trafikuar në Shqipëri, një motomjet që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë:
-arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 24 vjeç, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me send të fortë, ish-të dashurën, e cila pasi ka marrë asistencën mjekësore të nevojshme, është larguar në banesë;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 44 vjeç, banues në Lezhë, pasi dyshohet se nuk ka paguar për automjetin që ka marrë me qira;
-kanë referuar materialet në Prokurori, për vlerësim të njoftimit të shtetasit F. Gj., 65 vjeç, se kishte konstatuar të dëmtuar, varrin e nipit të tij. Në drejtimin e Prokuorisë, vijojnë veprimet hetimore për sqarimin e rrethanave të rastit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë arrestuan në flagrancë shtetasin F. N., 21 vjeç, banues në fshatin Qafë Mollë, pasi kishte me vete, përforcues grushti që u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-M. D., 37 vjeç dhe A. D., 44 vjeç, pasi dyshohet se kanë vënë pa leje, një kioskë, në një sipërfaqe toke (pronë publike), si dhe kanë kanosur një shtetas 48 vjeç, i cili iu ka shfaqur pakënaqësi për këtë veprim;
-P. Sh., 30 vjeç, banues në fshatin Thumanë, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grushte, një shtetas 42 vjeç.
Shërbimet e Njësisë së Sigurisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin I. Sh., 42 vjeç, banues në Kosovë, pasi u kap duke drejtuar automjet, në gjendje të dehur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Dibër
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-L.K., 65 vjeç, banues në Bulqizë, pasi u konstatua duke kryer punime ndërtimi pa leje;
-L.S., 30 vjeç, banues në Bulqizë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij.
Po nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin K.H., 57 vjeç, banues në Burrel, pasi, për motive të dobëta, është konfliktuar fizikisht me shtetasin A.H.
Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin M.P., banues në Maqellarë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nuses së djalit të tij.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjet një përforcues grushti.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh arrestuan shtetasin F. S., 34 vjeç, banues në Durrës, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij.
Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 59 vjeç, banues në Durrës, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Manëz arrestuan në flagrancë shtetasin L. H., 25 vjeç, banues në Fermë Sukth, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës dhe vëllait të tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë referuan materialet në Prokurori, për vlerësim, pas ka kallëzuar shtetasja V. Rr., se shtetasi E. A., 37 vjeç, i ka zaptuar një sipërfaqe toke. Nga verifikimi i dokumentacionit rezultoi se toka është në pronësi të shtetasit E. A.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër
Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit A. H., 54 vjeç, banues në fshatin Boks dhe Gj. N., 63 vjeç, banues në fshatin Mnelë e Vogël, pasi u kapën duke drejtuar motomjete, pa leje drejtimi.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:
-A. D., 59 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi dyshohet se më datë 01.04.2026, në lagjen “Perlat Rrexhepi”, ka dëmtuar me sende të forta derën e jashtme të banesës së shtetases E. D., me pretendimin se është pronë e saj;
-F. Z., 43 vjeç, banues në Kosovë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-L. N., 50 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, pasi ka kanosur me fjalë shtetasin N. M., 47 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, për motive të dobëta.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Sarandë/Finalizohet operacioni i koduar “Distanca”, goditet një rast i dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Transportonte me automjet, kundrejt pagesës, 13 emigrantë nga Egjipti, të cilët kishin hyrë ilegalisht në Shqipëri dhe synonin të kalonin në vendet e BE-së, kapet në flagrancë gjatë natës, në fshatin Xarrë, dhe vihet në pranga 27-vjeçari.
Sekuestrohet automjeti.
Shërbimet e Policisë Kufitare Sarandë, në vijim të kontrolleve intensive dhe punës hetimore për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Distanca”, për goditjen e një rasti të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufijve. Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi:
-E. Y., 27 vjeç, banues në Patos.
Ky shtetas u kap në flagrancë, gjatë natës, në fshatin Xarrë, duke transportuar me automjet, 13 emigrantë nga Egjipti, kundrejt pagesës. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë hyrë ilegalisht në Shqipëri, nga kufiri me Greqinë, dhe synonin të kalonin ilegalisht në vendet e tjera të BE-së.
Automjeti më të cilin transportoheshin emigrantët u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Sarandës, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Policia e Shtetit
Pezullohen nga detyra 7 punonjës policie, për moszbatim haptazi të dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale, në lidhje me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, më datë 19.03.2026.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera në vendngjarje, me porosi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë ligjore, lidhur me rastin e kultivimit të bimëve narkotike në 2 ambiente të mbyllura, në fshatin Kurtaj, Peqin, që u zbuluan më datë 19.03.2026, Drejtoria e Standardeve Profesionale filloi hetim disiplinor, në zbatim të nenit 121, pika 1, germa “i”, të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, “Moszbatim haptazi i dispozitave ligjore për përmbushjen e detyrave funksionale”, për punonjësit e Policisë:
Komisar A. G., me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Peqin;
Komisar D. K., me detyrë Shef i Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar S. D., me detyrë Specialist i Policisë Kriminale, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Inspektor M. Z., me detyrë Specialist i Policimit në Komunitet, në Komisariatin e Policisë Peqin;
Nënkomisar B. L., ish-shef i Komisariatit të Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Devoll;
Komisar D. S., ish-shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë Shef i Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Devoll;
Inspektor A. K., ish-ndihmësspecialist për Policinë Kriminale (agjent) në Komisariatin e Policisë Peqin, aktualisht me detyrë trupë shërbimi në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë në Gjadër.
Për këta punonjës, për mangësi të konstatuara gjatë përmbushjes së detyrës, bazuar në nenin 163, pika 3, germa “a”, e rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me VKM nr. 112, datë 24.02.2025, u bë pezullimi disiplinor nga detyra.
Policia e Shtetit është e vendosur për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, për të çuar para drejtësisë autorët e saj, si dhe për të ndëshkuar cilindo punonjës policie që nuk përmbush detyrat funksionale, që bëhet ndihmës apo palë me shtetasit që kryejnë këtë veprimtari.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 7, në përfundim të veprimeve të para hetimore, arrestuan shtetasin F. M., 34 vjeç, banues në Fushë Krujë.
34-vjeçari dyshohet se fillimisht ka përplasur me automjetin që drejtonte në rrugën e Rinasit, 3 automjete, me pasojë vetëm dëme materiale. Më pas, ka shkuar në një lokal në zonë, ku ka marrë një mjet prerës (hanxhar), me të cilin ka kanosur qytetarë, si dhe ka dëmtuar 1 automjet dhe celularin e drejtuesit të tij. Gjatë shoqërimit në ambientet e Policisë, shtetasi F. M. ka kundërshtuar me dhunë, efektivët. Nga verifikimet e kryera më tej, rezultoi se 34-vjeçari ishte aktualisht në kërkim, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Shtetasi F. M. është neutralizuar fillimisht nga shërbime të Forcave Detare të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët po qarkullonin në këtë aks rrugor dhe më pas kanë ndërhyrë shërbimet e Policisë, të cilët kishin marrë njoftimin për të shkuar në vendngjarje.
–
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin K. P., 27 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, dhe gjatë kontrollit fizik, i gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimit Kibernetik referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin R. M., pasi dyshohet se ka publikuar në rrjetet sociale, një foto të një shtetaseje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 shpallën në kërkim shtetasin K. K., pasi dyshohet se në bashkëpunim me 2 shtetas të tjerë ende të paidentifikuar, ka goditur me grushte shtetasin E. S. Punohet për kapjen e shtetasit K. K., identifikimin e 2 shtetasve të tjerë dhe sqarimin e rrethanave të rastit.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4:
-arrestuan shtetasin E. I., 30 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin P. P., si dhe shpallën në kërkim shtetasin A. Q., pasi ka kallëzuar një 38-vjeçare, se në muajin shkurt, shtetasi A. Q. ka kryer marrëdhënie seksuale me të, pa dëshirën e saj, ndërsa më datë 01.04.2026, shtetasi P. P. e ka ngacmuar seksualisht. Punohet për kapjen e shtetasit A. Q. dhe sqarimin e rrethanave të këtyre rasteve;
-shpallën në kërkim shtetasin B. Sh., pasi dyshohet si autor i vjedhjes së një shume parash në një subjekt.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 shpallën në kërkim shtetasin U. K., pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet celularit, shtetasen A. M.
Specialistët e qarkullimit rrugor:
-arrestuan shtetasin A. D., 39 vjeç, pasi automjeti që drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtuese shtetasen M. H. Si pasojë, janë dëmtuar shtetasi A. D. dhe 2 pasagjerë, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën;
-ndaluan shtetasin B. Ç., 30 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 1 muaj burgim, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Më datë 02.04.2026:
-kallëzoi shtetasja D. Sh., se familjarët e saj janë kontaktuar nëpërmjet celularit, nga shtetas të panjohur, të cilët përdornin fotot e saj dhe prezantoheshin si ajo. Punohet për identifikimin e autorit/ëve dhe sqarimin e rrethanave të rastit;
-është dërguar në spital, për mjekim, shtetasi A. F., 50 vjeç, i cili dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht në rrugë. Punohet për dokumentimin e rrethanave të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
