Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Gjirokastër/Vijon megaoperacioni policor antidrogë i koduar “Tempulli 2”.
Kishte siguruar lëndë narkotike cannabis sativa dhe e kishte ndarë në doza, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave, arrestohet në flagrancë 41-vjeçari.
I arrestuari, me precedent të mëparshëm për të njëjtin krim.
Sekuestrohen rreth 150 doza të kësaj lënde dhe celulari të arrestuarit.
Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar antidrogë të koduar “Tempulli 2”, për një shtetas që shiste doza cannabisi, në afërsi të shkollave, shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të DVP Gjirokastër kapën në flagrancë dhe vunë në pranga shtetasin R. A., 41 vjeç, banues në Gjirokastër.
Nga kontrollet, 41-vjeçarit iu gjet një sasi lënde narkotike cannabis sativa, e ndarë në rreth 150 doza, me qëllim shitjen në afërsi të shkollave të qarkut.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Kavajë/Ngacmoi seksualisht, në rrugë, një 14-vjeçare, menjëherë pas kallëzimit, Policia vë në pranga 50-vjeçarin.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të një të miture, se ishte ngacmuar seksualisht, në rrugë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Kavajë bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasit P. Xh., 50 vjeç, banues në fshatin Luz i Vogël.
Shijak/Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak vunë në pranga shtetasin K. B., 33 vjeç, banues në fshatin Xhafzotaj, pasi u kap në flagrancë duke vjedhur paketa me cigare, në një makinetë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Tiranë
Angazhim maksimal nga Komisariati i Policisë Nr. 3, për zbatimin me përkushtim dhe profesionalizëm, të masave të përcaktuara në Paketën për Sigurinë në shkolla dhe në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Around”.
Dyshohet se mbante armë të ftohta në shkollë, gjatë kohës që frekuentonte mësimin, dhe se shtyhej nga babai i tij për të përdorur armë zjarri, procedohet penalisht një i mitur 16 vjeç. Punohet për kapjen dhe arrestimin e babait të tij.
Sekuestrohen 6 armë (pushkë, shotgun, sportive, gjysëm automatike), sasi municioni luftarak të kalibrave të ndryshëm, 2 mjete prerëse, si dhe 2 palë targa.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në zbatim të masave të përcaktuara në Paketën për Sigurinë në shkolla, si dhe të planit operacional mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, pas sigurimit të informacionit se një 16-vjeçar, dyshohej që mbante armë të ftohta gjatë kohës që frekuentonte mësimin, si dhe shtyhej nga babai i tij, për të përdorur armë zjarri, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Around”.
Gjatë këtij operacioni u procedua penalisht një shtetas 16 vjeç, si dhe punohet për kapjen dhe arrestimin e babait të tij, shtetasit O. Sh., 52 vjeç, banues në Tiranë.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet ae 16-vjeçari, mbante armë të ftohta gjatë kohës që frekuentonte mësimin në shkollën e tij, si dhe shtyhej nga babai i tij, për të përdorur armë zjarri.
Gjatë kontrollit të banesës së tyre, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan 6 armë (pushkë, shotgun, sportive, gjysëm automatike), sasi municioni luftarak të kalibrave të ndryshëm, 2 mjete prerëse, si dhe 2 palë targa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Tiranë
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, u finalizua operacioni policor i koduar “Rrethi”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin në DVP Tiranë, dhe me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër.
Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga një 45-vjeçar që posedonte armë zjarri, me qëllim shitjen.
Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoleta, 1 armë zjarri shotgan, 1 pistoletë pneumatike me ajër, doza kokaine dhe sasi kanabisi, fara të dyshuara narkotike kanabis, përforcues grushti dhe mjete prerëse thika.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, pas informacioneve të siguruara për një shtetas i cili do të transportonte armë zjarri nga Shkodra drejt Rinasit, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rrethi”.
Si rezultat, në Rinas, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi K. B., 45 vjeç, banues në Shkodër.
Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën 45-vjeçarit, 2 armë zjarri pistoleta, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me DVP Shkodër u ushtrua kontroll në banesën e tij, në Shkodër, dhe gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan 1 armë zjarri shotgan me municion luftarak, 1 pistoletë pneumatike me ajër, doza kokaine, sasi kanabisi, fara të dyshuara narkotike kanabis, përforcues grushti dhe mjete prerëse thika.
Nga verifikimet e kryera dyshohet se 45-vjeçari i arrestuar i ka siguruar armët e zjarrit, me qëllim shitjen e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 69 shtetas, konkretisht: 13 shtetas janë vënë në pranga, 50 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste– 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste. 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste- 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të falsifikimit- 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 8 raste, 3 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 2 shtetas janë vënë në pranga, 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre me autor/ë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 8 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-3 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 1 rast i veprave penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Shtytja e të miturve në krim”, me nga 1 shtetas të shpallur në kërkim;
-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Shpërdorimi i detyrës “, “Trafikimi i mjeteve motorike “, “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale “, “Keqtrajtimi i të miturit “, “Kallëzimi i rremë”, “Vrasja me dashje e kafshës së shoqërimit“ dhe “Keqtrajtimi i kafshës”, me 10 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.
4 shtetas të kërkuar përkatësisht për veprat penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Ngacmimi seksual” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, janë kapur.
Kanë ndodhur 6 aksidente rrugore, me 6 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 11 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 9 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.