Raporti i ngjarjeve, 23 prill 2024

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.

Malësi e Madhe 

Finalizohet operacioni policor i koduar “LED”, për goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. 

Kishin përshtatur një banesë dykatëshe, për kultivim të kanabisit, me anë të llambave, vihet në pranga një 23-vjeçar, shpallet në kërkim pronari i banesës.  

Procedohen penalisht dhe 5 punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim të detyrës.   

Sekuestrohen 145 bimë kanabis të kultivuara në vazo, në ambientet e përshtatura me llamba, 64 llamba, 64 rritës energjie, 2 kilogramë kanabis dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin.      

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, në vijim të kontrolleve të ushtruara për parandalimin e tentativave për kultivim të bimëve narkoitke, bazuar dhe në inteligjencën policore, për përshtatjen e një ambienti, për kultivimin e bimëve narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor antikanabis të koduar “LED”.    

Gjatë kontrollit të ushtruar në një banesë dykatëshe në fshatin Bzhetë, në një ambient të përshtatur me llamba, u gjetën të kultivuara 145 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis, 64 llampa, 64 rritës energjie dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin.  

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. Gj., 23 vjeç dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin F. M., 30 vjeç, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Gjithashtu kanë referuar materialet në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. C., 35 vjeç, A. H., 51 vjeç, P. Z., 54 vjeç, P. S., 61 vjeç dhe S. H., 55 vjeç, të gjithë punonjës të OSHEE-së, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.        

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Elbasan

Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit” për kapjen e shtetasve në kërkim.

Shërbimet e Policisë Rrugore, krahas angazhimit për sigurinë rrugore, kanë mundësuar, falë bashkëpunimit me Komisariatin e Policisë Elbasan, ndalimin e shtetasit K. E., 65 vjeç, banues në Elbasan.   

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Korçës, me vendimin e  datës 12.01.2015 e ka dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Më datë 18.03.2014, në aksin rrugor “Bilisht-Korçë”, kamioni që drejtonte ky shtetas, është përplasur me një automjet tip “Opel”, me drejtues shtetasin K. T.. Nga përplasja, humbi jetën këmbësori, shtetasi E. B..

Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryhen nga strukturat e DVP Korçë.

Dibër

Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.

DVP Dibër, në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i Ligjit” dhe shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, lokalizuan dhe arrestuan me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasen  A. Gj,  39 vjeçe.   

Kjo shtetase ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, Itali, ka lëshuar urdhër arresti  ndërkombëtar, për kryerjen e veprës penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, parashikuar nga legjislacioni penal italian.    

Vijojnë procedurat për ekstradimin e kësaj shtetaseje në Itali.

Shkodër

Vijon megaoperacioni “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Rreth 1 vit më parë plagosi rëndë, me send të fortë, një 26-vjeçar dhe dyshohet se e kanosi atë, me armë zjarri, kapet dhe vihet në pranga 39-vjeçari.

Komisariati i Policisë Shkodër ndaloi shtetasin A. D., 39 vjeç, banues në Vaun e Dejës. Ai ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi më datë 26.06.2023, në lagjen “Qemal Stafa”, Shkodër, pas një konflikti për motive të dobëta, dyshohet se ka goditur me send të fortë, në kokë, shtetasin O. H., 26 vjeç, si dhe se e ka kanosur atë, për jetën, me armë zjarri.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.

Kurbin

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, zbulohet një lokal në Laç, ku viheshin basteve sportive me celularë.

Komisariati i Policisë Kurbin arrestoi në flagrancë shtetasit A. K., 34 vjeç dhe K. K., 41 vjeç, të dy banues në Laç.

Gjatë kontrolleve të kryera në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në lokalin në pronësi të shtetasit A. K., u kapën ai dhe 41-vjeçari, duke vënë baste sportive, me celularë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 celularët e këtyre shtetasve.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Lezhë.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 77 shtetas, konkretisht: 12 shtetas janë vënë në pranga, 57 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste– 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, janë evidentuar 2 raste- 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste. 1 shtetas është ndaluar dhe 16 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 5 raste. 1 shtetas është ndaluar dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 8 raste, 4 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 5 shtetas janë vënë në pranga dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për vjedhjet e tjera.

Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 7 raste- 3 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 2 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 6 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.

Janë evidentuar:

-3 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”. Për njërin prej tyre vijojnë hetimet, ndërsa për 2 rastet e tjera janë proceduar në gjendje të lirë 3 shtetas;

-1 rast i krimeve kompjuterike, me autor/ë ende të paidentifikuar;

-nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Vetëgjyqësia”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 9 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

2 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht për vjedhje të energjisë elektrike dhe përndjekje, janë kapur.

Për 2 shtetas të tjerë kanë filluar procedimet në gjendje të lirë, për 1 rast të mëparshëm të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”.

Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 1 viktimë dhe 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 9 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.