Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Durrës/Vijon intensivisht puna për gjetjen e 3-vjeçarit.
Kërkimet dhe veprimet e thelluara hetimore për rastin, po kryhen nga Policia e Durrësit, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Në vijim të punës që po kryhet nga Policia, me qëllim gjetjen e 3-vjeçarit që i është marrë nënës së tij, më datë 13.04.2024, dhe që dyshohet se po mbahet në mënyrë të padrejtë, nga gjyshërit e tij, si dhe me qëllim individualizimin e përgjegjësisë penale për këtë rast, ju informojmë se:
Komisariati i Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, kanë kryer kontrolle në disa banesa të të afërmve të gjyshes së 3-vjeçarit, në Kukës dhe në Has, ku kishte indicie se mund të mbahej i mituri.
Gjithashtu, është bërë ndalimi i shtetasve R. Gj., 60 vjeç, gjyshi i 3-vjeçarit, banues në Durrës dhe A. S., 49 vjeç, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit, banues në Has. Më tej, janë shpallur në kërkim shtetasit B. Gj., 57 vjeçe, gjyshja e 3-vjeçarit, banuese në Durrës dhe F. S., 43 vjeç, vëllai tjetër i 57-vjeçares, banues në Has.
Policia e Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon pa ndërprerje kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit, për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, për individualizimin e përgjegjësisë penale të këtyre 4 shtetasve, si dhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjsisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë implikuar në këtë rast.
Durrës/ Forca e Posaçme Operacionale, si rezultat i kontrolleve në zbatim të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për kapjen e shtetasve në kërkim, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, finalizoi operacionin e koduar “Local”.
Gjatë operacionit është lokalizuar dhe kapur shtetasi Eduart Stafhasani 40 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin e datës 22.02.2024, e ka dënuar me 12 vjet burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 7 vjet, 5 muaj e 12 ditë.
Materialet proceduale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Vlorë/ Në kuadër të operacionit “Sundimi i ligjit”, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve që mbajnë armë, pa leje, Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, zhvilloi operacionin e koduar “Strike 10”.
Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas lëvizte i armatosur, në qytetin e Vlorës, u finalizua operacioni dhe u arrestua në flagrancë shtetasi:
-F. P., 34 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë operacionit, në lagjen “Uji i Ftohtë”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin F. P., të cilit gjatë kontrollit fizik i kanë gjetur 1 armë zjarri pistoletë me krehër me municion luftarak, që e posedonte pa leje.
Pistoleta dhe automjeti i 34-vjeçarit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 65 shtetas, konkretisht: 16 shtetas janë vënë në pranga, 47 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste– 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i kërkuar një rast të mëparshëm në këtë fushë, është kapur.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 3 raste, 3 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. Është ndaluar 1 shtetas i shpallur në kërkim për një tentativë për vrasje, të kryer më parë.
Në fushën e krimeve ekonomike janë evidentuar 2 raste, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar. Për rastin tjetër, 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të falsifikimit- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë dhe tentativave për këtë krim, janë evidentuar 12 raste, 5 prej të cilave me autor/ë ende të paidentifikuar. 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 6 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, për rastet e tjera
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste. 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”- 4 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 9 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar:
-5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësit të Policisë, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-5 raste të kalimit të kundërligjshëm të kufijve, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-1 rast i veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 shtetas të vënë në pranga;
-nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”, “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
4 shtetas të shpallur në kërkim, përkatësisht për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Dhuna në familje”, “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Deklaratat e rreme përpara prokurorit”, janë kapur dhe ndaluar.
Kanë ndodhur 3 aksidente rrugore, me 3 shtetas të dëmtuar. Janë evidentuar 10 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor- 3 shtetas janë vënë në pranga dhe 7 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.