Raporti i ngjarjeve, 12 nëntor 2025

Tiranë/Informacion paraprak

Rreth orës 14:10, në fshatin Zall Bastar, automjeti me të cilin qarkullonin shtetasit M. D., rreth 45 vjeç dhe B. H., 50 vjeç, ka rënë në humnerë.

Si pasojë kanë humbur jetën të dy këta shtetas.

Shërbimet e Policisë dhe Grupi Hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë

Shërbimet e Policisë Rrugore Lezhë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. T., 31 vjeç, banues në fshatin Malbardhë, Kurbin, pasi duke drejtuar automjetin, në aksin rrugor dytësor “Laç-Milot”, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe si pasojë automjeti është përplasur me një furgon të Policisë, me drejtues shtetasin I. M., 55 vjeç, banues në Tiranë.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar shtetasi E. T., i cili po merr mjekim në spital, shtetasi I. M. dhe pasagjeri në furgonin e Policisë (të dy punonjës policie), të cilët morën morë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe u larguan në banesa.

Dje, ka kallëzuar shtetasi A. N., 58 vjeç, banues në Rrëshen, se në një llogari në rrjete sociale, postohen tekste dhe imazhe me përmbajtje fyese për të. Vijojnë hetimet për këtë rast.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve arrestuan shtetasin D. V, 51 vjeç, pasi shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 i gjetën një sasi lënde narkotike e dyshuar heroinë.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin N. D., pasi dyshohet se ka përdorur një automjet që, nga verifikimet, ka rezultuar i vjedhur në Itali. Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike referuan materialet dhe punojnë për shoqërimin e shtetasit E. H, 33 vjeç, pasi dyshohet se ka kanosur nëpërmjet mesazheve në rrjet social shtetasin K. K.
Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit të Kërkimit, kapën dhe ndaluan shtetasin A. H., 35 vjeç, pasi Gjykata e ka dënuar me 3 vjet burgim, për veprën penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Nga ky dënim, 35-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur 1 muaj e 14 ditë burgim.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2:
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. S., pasi dyshohet se nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të ndaluar automjetin;
-referuan materialet në Prokurori, për shtetasen B. B, pasi ka kallëzuar bashkëshorti i saj, se kjo dyshohet se ka marrë fëmijën e tyre dhe është larguar jashtë vendin. Punohet për sqarimin e rrethanave të rastit;
-referuan materialet dhe shpallën në kërkim shtetasin J. P., 33 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetueses së tij. Punohet për kapjen dhe shoqërimin e tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-M. Sh., pasi dyshohet se nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të policisë për të lëvizur automjetin, të cilin e kishte parkuar në menyrë të parregullt;
-P. V,  pasi dyshohet se, për motive të dobëta ka goditur me grushte shtetasin K. B;
-G. D, pasi dyshohet se, për motive të dobëta ka goditur me grushte shtetasin G. B;
-e mitur 16 vjeç, pasi dyshohet se, për motive të dobëta ka goditur me grushte një 15-vjeçar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-Xh. O., A. Sh. dhe F. Gj., pasi dyshohet se shtetasja Xh. O. ka mashtruar shtetasit A. Sh. dhe F. Gj., në lidhje me kthimin e një shume parash të marra borxh, ndërsa këta të fundit dyshohet se e kanë kanosur shtetasen Xh. O., për këtë shkak;
-A. I dhe E. C, pasi dyshohet se për motive të dobëta kanë goditur me grushte shtetasin F. G.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5:
-arrestuan shtetasin L. Z, 34 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-ndaluan shtetasin A. Gj., 54 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Dhuna në familje”;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin V. D(Q), pasi dyshohet se për motive të dobëta ka goditur me grushte shtetasin D. Gj;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M, pasi dyshohet se ka përndjekur e kanosur me fjalë një 36-vjeçare.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6:
-arrestuan shtetasin A. B, 24 vjeç, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit J. A dhe M. Xh, pasi për motive të dobëta janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. T, pasi dyshohet se për motive të dobëta ka kanosur komshiun e tij;
-referuan materialet dhe shpallën në kërkim shtetasin E. P, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së tij. Punohet për shoqërimin e tij.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor:
-arrestuan shtetasin B. S., 44 vjeç, pasi automjeti të cilin dyshohet se e drejtonte në gjendje të dehur është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin Y. S;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. K. pasi dyshohet se automjeti që drejtonte është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin K. Sh, i cili është dëmtuar dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën;
-referuan materialet dhe shpallën në kërkim shtetasin V. C, pasi dyshohet se ka humbur kontrollin e automjetit dhe për pasojë automjeti është përplasur me bordurën e rrugës dhe më pas ka braktisur automjetin duke bllokuar qarkullimin e lirë të automjeteve të tjera. Punohet për shoqërimin e tij.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Lezhë/Ndërhyrja e menjëhershme e Policisë parandalon përshkallëzimin e dhunës në një familje.

Ushtroi dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij dhe mbante në banesë, 1 pistoletë zhurmuese, arrestohet 49-vjeçari.

Sekuestrohet pistoleta.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, menjëherë pas njoftimit për një rast dhune në familje, organizuan punën për parandalimin e përshkallëzimit të dhunës dhe kapjen e autorit. Në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Lezhë, u kap dhe u arrestua në flagrancë i dyshuari për rastin, shtetasi M. N., 49 vjeç, banues në Lezhë.

Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjet një armë pistoletë zhurmuese, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë dje, për aksidentin në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin I. B., 38 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, pasi duke drejtuar automjetin, ka përplasur biçikletën me të cilën lëvizte shtetasi M. M., 86 vjeç. Nga aksidenti është dëmtuar lehtë shtetasi M. M.

Gjithashtu, specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor:
-referuan materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. C., 67 vjeç, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi;
-referuan materialet në Prokurori, pasi më datë 11.11.2025, shtetasi H. P., 22 vjeç, banues në fshatin Bushat, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin, është rrëzuar dhe si pasojë është dëmtuar, jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. D., 20 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, pasi gjatë kontrollit në automjetin me të cilin ai qarkullonte, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasen E. A., pasi u konstatua se kishte kryer punime ndërtimi, pa leje.

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër kanë referuar materialet në Prokurori, pasi dje, në lagjen “Iliria”, dyshohet se për shkak të një defekti në rrjetin elektrik, ka rënë zjarr dhe si pasojë është djegur plotësisht banesa e shtetasit L. S., 39 vjeç. Nga përhapja e flakëve është djegur edhe banesa ngjitur, në pronësi të shtetases M. S., 63 vjeçe. Nga flakët janë shkaktuar vetëm dëme materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për shtetasit:
-M. Th., dhe L. N, pasi nga kontrollet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OShEE-së, në banesat e tyre u konstatuan lidhje të paligjshme të energjisë elektrike;
-.,

Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kanë referuar materialet në Prokurori, pasi dje, ka kallëzuar shtetasi P. V., 43 vjeç, se kushëriri i tij, shtetasi V. V., 23 vjeç, është larguar nga banesa ku qëndronte në Gjermani.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë referuar materialet në Prokurori, pasi dje, ka kallëzuar shtetasi K. M., 32 vjeç, banues në fshatin Gushte, se në një tokë që ai pretendon se e ka në pronësi, në fshatin Gushte, është ndërtuar një banesë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shkodër/Rreth orës 08:50, në Spitalin Rajonal Shkodër, është dërguar pa shenja jete, shtetasi P. K., 42 vjeç, banues në Shkodër, i cili dyshohet se ka pësuar arrest kardiak.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e shkakut të humbjes së jetës.

DVP Elbasan

Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Rented”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Arrestohen në flagrancë 2 shtetase nga Kazakistani që ushtronin prostitucion në dy apartamente që kishin marrë me qira, në qytetin e Elbasanit.

Procedohet penalisht 39-vjeçarja që iu kishte dhënë me qira apartamentet.

Sekuestrohen shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme, dokumente identifikimi dhe celularë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve i DVP Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, si rezultat i hetimeve intensive të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Rented”.

Nga hetimet u zbulua se 2 shtetase nga Kazakistani kishin marrë me qira dy apartamente në qytetin e Elbasanit, me qëllim ushtrimin e prostitucionit.

Në vijim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetaset Z. M., 37 vjeçe, dhe N. S., 38 vjeçe, të dyja banuese në Kazakistan, për veprën penale “Prostitucioni”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për pronaren e dy apartamenteve, shtetasen M. C., 39 vjeçe, banuese në Elbasan, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.

Gjatë kontrolleve këto dy ambiente u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale shuma parash të valutave të ndryshme, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari, celularë dhe dokumente të ndryshme.

Në drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Në vijim të njoftimit të dhënë më datë 09.11.2025, në lidhje me procedimin penal të 18-vjeçarit, shtetasit L. Ç., pasi dyshohej se për motive të dobëta, kishte goditur me grusht, shtetasin S. F., 52 vjeç, njoftojmë se specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit kryen ndalimin me iniciativë të shtetasit L. Ç., për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen. Nga hetimet e deritanishme rezulton se si pasojë e goditjes me grusht, 52-vjeçari ka rënë me kokë, në tokë, në një rrugë në fshatin Arapaj, dhe pavarësisht ndihmës mjekësore, ka humbur jetën më datë 10.11.2025, rreth orës 22:00, në Spitalin e Traumës.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit E. Gj., 34 vjeç dhe K. K., 32 vjeç, të dy banues në Durrës, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur një 40-vjeçar.

Në vijim të informacionit të dhënë rreth largimit nga banesa, më datë 08.11.2025, të shtetases S. B., informojmë se ajo u gjet në gjendje të mirë shëndetësore dhe deklaroi se ishte larguar me dëshirë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Vlorë

Finalizohet nga Komisariati i Policisë Vlorë, nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, operacioni policor i koduar “Double Flames“.

Zbardhet djegia e qëllimshme e dy automjeteve, ngjarje e ndodhur më datë 10.11.2025, në lagjen “Isa Boletini”.

Identifikohet dhe ndalohet njëri prej autorëve të dyshuar, ndërsa tjetri shpallet në kërkim.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Vlorë, pas një pune të mirëorganizuar hetimore dhe nën drejtimin e Prokurorisë Vlorë, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Double Flames”, në kuadër të të cilit u dokumentua ngjarja e ndodhur më datë 10.11.2025, në lagjen “Isa Boletini”, ku u dogjën me zjarr dy automjete.

Si rezultat, u bë ndalimi i shtetasit Xh. S., 21 vjeç, dhe shpallja në kërkim e shtetasit D. D., 28 vjeç, të dy banues në Vlorë.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë djegur me lëndë djegëse dy automjete, tip “Audi” dhe “Suzuki”. Punohet për zbardhjen e motivit, si dhe për kapjen e autorit të dytë.

Materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.

Drejtoria Vendore e Policisë Berat

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-R. Xh., 68 vjeç dhe V. Xh., 62 vjeç, vëllezër, të dy banues në Berat, pasi dyshohet se nëpërmjet dokumenteve false, kanë përvetësuar pronën e një shtetaseje;
-A. K., 61 vjeç, banues në Kuçovë, pasi dyshohet se kryen pa licencë, këmbim valutash. Gjithashtu, dyshohet se ka mashtruar një shtetas, për kthimin e një shume parash të marra borxh.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve shpallën në kërkim shtetasin D. B., 24 vjeç, banues në Berat, pasi në automjetin që braktisi në zonën e quajtur “Rruga e Lumit”, u gjetën një sasi Cannabisi dhe një shkop metalik, që u sekuestruan me cilësinë e provës materiale. Vijon puna për kapjen e 24-vjeçarit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Berat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin P. R., 68 vjeç, banues në Berat, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht, një 16-vjeçare.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Beratit, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Korçë

Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin A. S., 36 vjeç, banues në fshatin Osnat, pasi u kap duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-H. L., 76 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, pasi dyshohet se i ka zaptuar një sipërfaqe toke, një 66-vjeçareje;
-A. S., 61 vjeç, banues në fshatin Pojan, pasi dyshohet se ka kanosur me fjalë një shtetase të mitur.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër vunë në pranga shtetasit:
A. T., 55 vjeç, banues në fshatin Hundëkuq dhe F. K., 49 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se kanë vjedhur në banesën e shtetasit L. K., disa vegla bujqësore dhe pune. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan veglat e vjedhura;
-N. Ç., 68 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Gjithashtu, këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit L. Sh., 35 vjeç dhe N. L., 39 vjeç, të dy banues në Gjirokastër, pasi kanë goditur me grushte një 32-vjeçar, për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Dibër

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mat referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve;
-D.T., 53 vjeç, banues në Klos, pasi për motive të dobëta, ka ofenduar një shtetase 29-vjeçare.
-S.K., 50 vjeç, banues në Klos, pasi për motive të dobëta, ka goditur me grusht një shtetase 21-vjeçare.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër kanë referuar materialet në Prokurori, pasi nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 11 nëntor, në qytetin e Peshkopisë, është vjedhur një dyqan argjendarie, në pronësi të shtetasit E.P.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorit/ëve të dyshuar.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier

Në vijim të kontrolleve dhe verifikimeve, të kryera në kuadër të operacionit “Hapësirat publike”, me objektiv evidentimin dhe ndëshkimin e rasteve të zënies dhe/ose shfrytëzimit të hapësirave publike ose private, në kundërshtim me ligjin, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin B. K., 28 vjeç, banues në Lushnjë, pasi në lagjen “Skënder Libohova”, kishte pushtuar një hapësirë publike, të cilën e shfrytëzonte si subjekt për shitblerje automjetesh, aktivitet të cilin nuk e kishte regjistruar tek organet tatimore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasit:
-L. Sh., 22 vjeç dhe F. Ç., 28 vjeç, të dy banues në Fier, pasi dyshohet se për motive të dobëta, kanë kanosur një 44-vjeçar, si dhe kanë dëmtuar kamerën e montuar te banesa e tij;
-A. B., 36 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se i ka marrë celularin, një shtetasi, për ta kanosur që t’i jepte para;
-referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen M. T., banuese në Fier, pasi dyshohet se ka penguar një shtetas, të hyjë në banesë, me pretendimin se objekti është pronë e saj.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. R., 33 vjeç, banues në Roskovec, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjetën doza Cannabisi, të cilat u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. A., 52 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se nuk i ka dhënë pagën, një punonjësi në subjektin e tij, të cilin nga verifikimet rezultoi se nuk e kishte siguruar.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen B. R., 30 vjeçe, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj vajzës së saj 12 vjeçe.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Perimetri”. Goditet një rast i shitjes së lëndëve narkotike, afër shkollave.

U kap në flagrancë duke i shitur doza kanabisi një shtetasi të mitur, vihet në pranga 53-vjeçari.

Vihet në hetim shtetasi i mitur.

Sekuestrohen lëndë e dyshuar narkotike kanabis dhe 1 celular.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, pasi kanë siguruar informacion se 1 shtetas shiste lëndë narkotike kanabis, në afërsi të një shkolle të mesme, kanë organizuar operacionin policor të koduar “Perimetri”, për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në afërsi të shkollës, në rrugën “Ymer Kurti”, shtetasin B. Ç., duke i shitur doza kanabisi, një 15-vjeçari.

Gjatë kontrollit fizik ndaj 53-vjeçarit dhe kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur sasi lënde të dyshuara narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza, gati për shitje.

Në përfundim të veprimeve për rastin, u arrestua shtetasi B. Ç., 53 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa shtetas i mitur u vu në hetim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Smart Bank Phishing”, për goditjen e një rasti të mashtrimit kompjuterik.

Vihet në pranga autori kryesor i rastit, si dhe procedohen 2 shtetas.

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe në koordinimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Smart Bank Phishing”.

Në kuadër të operacionit u bë i mundur identifikimi dhe arrestimi i shtetasit O. Gj., 21 vjeç, banues në Laç, si dhe u proceduan penalisht, në gjendje të lirë, shtetasit D. G., 23 vjeç dhe E. Gj., 21 vjeç.

Shtetasi O. Gj. kishte krijuar një profil të rremë në rrjete sociale, duke përdorur logon dhe emrin e Bankës Kombëtare Tregtare, me qëllim mashtrimin e qytetarëve. Ai kontaktonte qytetarët, përmes platformave të ndryshme online, duke iu ofruar kredi të rreme pranë bankës, ndërsa nëpërmjet aksesit të paautorizuar në llogaritë e tyre bankare, arrinte të boshatiste fondet.

Në rastet kur llogaritë nuk kishin para, ai i shtynte qytetarët të depozitonin shuma nga 750 deri në 1 500 euro, me premtimin e rremë të një kredie prej 15 000 eurosh.

Falë bashkëpunimit të ngushtë mes ekspertëve të Krimit Kibernetik dhe Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, u bë i mundur ndalimi i autorit kryesor dhe ndërprerja e veprimtarisë së paligjshme.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Mashtrim kompjuterik”, “Ndërhyrje kompjuterike” dhe “Keqpërdorimi i thirrjeve telefonike”.

DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Wrong call”.

Zbulohet në Selitë, 1 ambient i përshtatur si call center, ku mashtroheshin shtetas të huaj, përmes telefonatave, për të investuar në bursa fiktive.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, në këtë ambient, u kapën në flagrancë 5 shtetas që kryenin këtë veprimtari të kundërligjshme.

Vihen në pranga 3 prej tyre (menaxheri dhe 2 punonjës), procedohen penalisht 2 punonjëse.

Identifikohen dhe shpallen në kërkim 2 shtetas që e kishin marrë me qira ambientin, për këtë qëllim.

Sekuestrohen pajisje kompjuterike, celularë dhe prova të tjera materiale.

Specialistët e Seksionit për Krimet Ekonomiko-Financiare, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Wrong call”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në një ambient në Selitë, që ishte përshtatur si call center. Në këtë ambient, janë kapur në flagrancë shtetasi K. S., i dyshuar si menaxher i kësaj veprimtarie, dhe 4 punonjës, të cilët mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.

Nga hetimet dyshohet se ambienti ishte marrë me qira nga shtetasit E. S. dhe A. K. me qëllim për ta përdorur për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Në vijim të veprimeve procedurale:
-u arrestua në flagrancë shtetasi K. S., 25 vjeç;
-u arrestuan shtetasit F. K., 24 vjeç dhe E. A., 25 vjeç, punonjës;
-nisi procedimi penal për shtetaset E. Sh., 22 vjeçe dhe E. Z., 19 vjeçe, punonjëse;
-u shpallën në kërkim shtetasit E. S., 34 vjeç (vëllai i K. S) dhe A. K., 35 vjeç. Punohet për kapjen e tyre.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Vlorë

Plagosi me thikë një 30-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga autori.

Në pranga edhe një shtetas tjetër i përfshirë në konflikt, gjatë kontrollit të të cilit u sekuestrua një mjet prerës thikë.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur më datë 10.11.2025, në lagjen “24 Maji”, organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit dhe të personave të tjerë të përfshirë në konflikt.

Si rezultat, falë veprimeve të shpejta hetimore, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
• E. L., 32 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

• A. L., 23 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzim i krimit”.

Nga veprimet hetimore rezultoi se më herët, këta dy shtetas kishin pasur një konflikt për motive të dobëta, të cilin nuk e kishin kallëzuar. Për shkak të përshkallëzimit të tij, mbrëmjen e datës 10.11.2025, shtetasi E. L. është konfliktuar fizikisht dhe me mjete prerëse me shtetasit A. L. dhe B. S., gjatë të cilit ka goditur me thikë, në pjesën e kraharorit dhe të qafës, shtetasin B. S., 30 vjeç. Ky shtetas ndodhet në Spitalin Rajonal Vlorë, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë ushtruan kontrolle në banesat e dy shtetasve të arrestuar.

Në banesën e shtetasit E. L. u gjet dhe u sekuestrua një armë gjahu, pa leje, si dhe një mjet prerës (thikë), i dyshuar si i përdorur në këtë ngjarje.

Ndërsa në automjetin e shtetasit A. L., me të cilin ky i fundit ka transportuar shtetasin B. S, drejt spitalit, u gjet dhe u sekuestrua një thikë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.