Policia e Shtetit
Lirimi i brezit të sigurisë në akset rrugore kombëtare dhe krijimi i korridoreve të gjelbra, takim Hita-Kozeli.
Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, zhvilloi takim pune me Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli.
Në takim morën pjesë edhe grupet e përbashkëta të punës, me qëllim nisjen e punës për marrjen e masave për lirimin e brezit të sigurisë në akset rrugore, duke qenë se javën e ardhshme do të nisë aksioni për lirimin e hapësirave në anë të rrugëve kombëtare dhe krijimin e korridoreve të gjelbra.
Drejtuesit Hita dhe Kozeli theksuan rëndësinë e këtij operacioni mbarëkombëtar, për finalizimin e të cilit nevojitet koordinim mes strukturave për marrjen e përgjegjësive dhe kryerjen e detyrave respektive.
Drejtor Hita theksoi se Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të përmbushur këtë detyrë dhe kërkoi nga Departamenti i Sigurisë që strukturat e tij të jenë në mbështetje të plotë të ARRSH-së dhe krahas lirimit të hapësirave, të vijohet edhe me ndëshkimin e shtetasve përgjegjës, me masa administrative dhe penale.
Drejtor Kozeli ka falënderuar Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për mbështetjen, dhe theksoi se ARRSH ka nisur punën për evidentimin dhe heqjen e çdo ndërtimi, objekti, tabele reklame, depozitimi materiali, si dhe të çdo përdorimi tjetër të palejuar brenda kufirit rrugor, zonës rrugore, brezit të rezervuar dhe hapësirave të nevojshme për fushëpamje e siguri rrugore, në segmentet rrugore kombëtare në administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, sipas inventarit të miratuar me VKM 234, datë 17.04.2024.
Kozeli bëri me dije se Drejtoritë Rajonale të ARRSH-së kanë nisur punën për njoftimin e të gjitha bizneseve, që me qëllim lirimin e hapësirave të zëna në mënyrë të paligjshme, të marrin masa për heqjen e çdo objekti nga këto hapësira dhe për ndalimin e përdorimit të paligjshëm të hapësirave brenda kufirit rrugor, zonës rrugore, brezit të rezervuar dhe hapësirave të nevojshme për fushëpamje e siguri rrugore, në segmentet rrugore kombëtare në administrimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar.










